Irani s’përmbush detyrimet, miratohet rezoluta ndëshkuese në OKB

Agjencia e OKB-së për Energjinë Atomike doli të enjten në përfundimin se Irani nuk po përmbush detyrimet e tij me programin bërthamor, për herë të parë në 20 vjet.

Lëvizja mund të çojë në rritjen e tensioneve dhe të vërë në punë mekanizmat për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së ndaj Republikës Islamike më vonë gjatë vitit.

19 vendet anëtare të bordit të Agjencisë së OKB-së votuan pro rezolutës, sipas disa diplomatëve që folën në kushte anonimati për të përshkruar rezultatin e votimit të mbajtur me dyer të mbyllura.

Gjatë procesit, Rusia, Kina dhe Burkina Faso e kundërshtuan rezolutën, 11 abstenuan, ndërsa 2 vende nuk votuan.

Teherani iu përgjigj menjëherë Agjencisë duke deklaruar se do të ngrejë një impiant të ri për pasurimin e uraniumit, në një “lokalitet të sigurt”.

“Republika Islamike e Iranit nuk ka rrugë tjetër veçse t’i përgjigjet kësaj rezolute politike”, deklaroi Ministria e Jashtme iraniane në një komunikatë.

Në rezolutën e Agjencisë, e cila është parë nga disa media, bordi i saj përsërit thirrjen drejtuar Iranit që të japë pa asnjë vonesë përgjigje për hetimin afatgjatë mbi pasurimin e uraniumit.

Fuqitë perëndimore dyshojnë se gjurmët e uraniumit, të konstatuara në disa lokalitete të vendit të Lindjes së Mesme, provojnë se Republika Islamike ka një program bërthamor të fshehtë.

Rezoluta e miratuar u propozua nga Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Në Bruksel, Komisioni Evropian shprehu mbështetjen për përmbajtjen e dokumentit dhe i kërkoi Iranit të rivendosë menjëherë bashkëpunimin me Agjencinë e OKB-së dhe të përmbushë detyrimet e tij.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here