Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) konfirmoi se sekuestroi të premten në mëngjes një tanker në Ngushticën e Hormuzit. Tankeri ‘Talara’, i cili lundron nën flamurin e Ishujve Marshall, po udhëtonte nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Singaporit.
IRGC tha se anija u gjet “në shkelje të ligjit për shkak të transportimit të një ngarkese të paautorizuar”, por nuk dha detaje të mëtejshme. Raportet thonë se tanker se po transportonte naftë të rëndë me përmbajtje të lartë squfuri.
Irani ka sekuestruar në mënyrë periodike tanker dhe anije të ngarkesave që lundrojnë në dhe rreth Gjirit Persik, një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë globale për naftën dhe gazin natyror të lëngshëm. Këto ndërhyrje janë justifikuar me shkelje detare, kontrabandë apo çështje ligjore.
Kompania e sigurisë detare Ambrey tha se tankeri ‘Talara’ ishte nisur nga Ajmani në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe po lëvizte drejt jugut përmes Ngushticës së Hormuzit, kur u afrua nga tre varka të vogla, pas së cilës anija bëri një “devijim të papritur kursi”.
Flota e 5-të e Marinës së SHBA-ve, që patrullon zonën, deklaroi të premten se po “monitoron në mënyrë aktive situatën”.
“Anijet tregtare kanë të drejtën e lundrimit dhe tregtimit pothuajse pa pengesa në det të hapur”, shtoi ajo.
Kompania menaxhuese e anijes njoftoi se kishte humbur kontaktet me ekuipazhin të premten në mëngjes, teksa tankeri ndodhej rreth 20 milje detare larg portit Khorfakkan të Sharjahut.
Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar tha se kishte marrë raportime për incidentin dhe u bëri thirrje anijeve “të kalojnë me kujdes dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë”.
Prej vitesh, Irani ka kërcënuar të mbyllë Ngushticën e Hormuzit — përmes së cilës kalon rreth 20% e gjithë naftës së tregtuar globalisht — si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore dhe veprimeve të tjera kundër tij.
Kërcënimet u shtuan gjatë konfliktit 12-ditor me Izraelin në qershor, gjatë të cilit Izraeli dhe SHBA bombarduan objektet bërthamore të Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke goditur Izraelin.
Në prill 2024, IRGC sekuestroi një anije tregtare me lidhje me Izraelin, pas një sulmi të rëndë ndaj konsullatës iraniane në Siri, për të cilin u fajësua Izraeli. /BBC/
