Irani nxjerr në skenë armën e re në ditën e shtatë të përplasjes. Përdor për herë të parë raketën Khorramshahr-4 në sulmin ndaj Izraelit.
Në ditën e shtatë të përplasjes mes Iranit nga njëra anë dhe Izraelit me mbështetjen e SHBA-së nga ana tjetër, situata në front është përshkallëzuar më tej. Autoritetet iraniane kanë njoftuar se gjatë sulmit të fundit është përdorur për herë të parë një raketë e re balistike.
Televizioni shtetëror iranian raportoi se në sulmin e fundit ndaj Tel Avivit është përdorur raketa Khorramshahr-4, e njohur edhe me emrin “Khaybar”, e konsideruar si një nga raketat më të fuqishme në arsenalin e Iranit.
Sipas deklaratave të zyrtarëve iranianë, raketa është përdorur për të goditur objektiva strategjikë në Izrael, përfshirë aeroportin Ben Gurion dhe bazën ajrore të njohur si Njësia 27 e Forcave Ajrore izraelite.
Raketa Khorramshahr-4 raportohet se ka një rreze veprimi rreth 2.000 kilometra dhe mund të mbajë deri në 1.500 kilogramë eksploziv. Sipas mediave iraniane, teknologjia e karburantit të lëngshëm i mundëson raketës të lëshohet në një kohë shumë të shkurtër.
Autoritetet iraniane pretendojnë gjithashtu se raketa është projektuar për të reduktuar mundësinë e zbulimit nga radarët dhe është e pajisur me sisteme të avancuara drejtimi, të cilat mund të kontrollohen edhe në fazën përfundimtare të afrimit drejt objektivit.
Sipas deklaratave të ushtrisë iraniane, objektivat e sulmit përfshinin qytetin e Tel Avivit, aeroportin Ben Gurion dhe një bazë ajrore brenda kompleksit të aeroportit që përdoret nga Forcat Ajrore izraelite.
Në njoftim thuhet se operacioni fillimisht u nis me dërgimin e dronëve sulmues, ndërsa më pas u aktivizuan raketat strategjike. Irani pretendon se këto raketa kanë arritur të depërtojnë përmes sistemit të shumëfishtë të mbrojtjes ajrore të Izraelit.
