Intervistë/ Andoni: Trump s’di të thellohet në detaje, mund t’i kthejë Kosovën e Serbinë te Marrëveshja e Washingtonit

Publicisti shqiptar, Ben Andoni pret “ditë o të mira” për Kosovën këtë vit.

Në një intervistë me shkrim për Gazetën Express, ai tha se rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë “do të vendosë me gjasë në probleme dhe ide të panjohura” normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Trump, Andoni thotë se “nuk di të thellohet në detaje” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa e sheh të mundshme rivitalizimin e Marrëveshjes së Washingtonit, të nënshkruar në praninë e presidentit që do të ulet sërish në karrigen më të rëndësishme të botës.

Këshillat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, atij i duken “të tepruara”. Ideja për zbatimin e njëanshëm të marrëveshjes për rrugën e normalizimit me Serbinë, ai thotë se “është pak e pavend”.

Andoni evidenton ngecjet e Kosovës gjatë vitit 2024 dhe sfidat që e presin në këtë vit të ri.

Intervista e plotë

Gazeta Express: Sfidat dhe tensionet e veriut e përcollën Kosovën edhe në vitin 2024. Sa të dëmtuar e shihni vendin nga to?

Ben Andoni: Kosova po mundohet ta fitojë betejën për kontrollin e veriut të saj (me shumicë serbe), por tashmë pikërisht forma e politikës së saj në katër komunat, po zbeh luftën që lidhet me shpresat e normalizimit. Është e vërtetë se në terrenin verior ka një qetësi relative, ardhur nga pamundësia e strukturave paralele serbe dhe dështimi i turpshëm i Bajnskës, por kemi gjithnjë e më shumë një autoritet që është sfidues i Prishtinës dhe disa herë i tepruar, si në rastin e dinarit. Duam apo nuk duam, serbët lokalë e ndjejnë veten mes dy zjarresh: forcën e autoritetit zyrtar të qeverisë Kurti dhe sforcimit anormal, që i kërkohet nga politikanët e tyre lokalë. Kryetarët shqiptarë nuk mundën dot ta normalizojnë situatën lokale në veri, kjo edhe për faj të bojkotit serb, ndërkohë që tashmë serbëve të veriut u duhet një diskriminim pozitiv, ku të ndjejnë vetëqeverisjen dhe zyrtarisht (arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera). Duhet të gjendet një formulë të rikthehen serbët në forcën policore të Kosovës, nga ku dhanë dorëheqjen në protestë në nëntor 2022 dhe të kuptojnë realisht se Kosova është edhe vendi i tyre. Energjia e humbur për ta e ka drobitur shumë Kosovën dhe ka ngjallur një mungesë shprese, që atje thjesht humbet energji. Dhe, kuptohet njerëzit po ikin dhe ikin gjithnjë e më shumë.

Gazeta Express: Ku ishin ngecjet dhe çfarë mund të kishte bërë më mirë Qeveria e Kosovës?

Ben Andoni: Tashmë, që pothuaj po vinë javët e fundit të mandatit Kurti-1 (në fakt është Kurti-2) publiku ka mundësi të ndjekë disa nga zbatimet e premtimeve të tij. Por, po ta nisësh nga fundi, shqetësuese ka qenë mosparaqitja e tij para strukturave të Drejtësisë, për problemin e rezervave dhe kërkesa, që njerëzit e hetimit të shkonin tek ai. Me këtë veprim, e uli shumë standardin kosovar të respektit ndaj drejtësisë. Një nga elementët që e ka mbajtur shumë qeverisjen e tij dhe me të cilën është lavdëruar, ka qenë anti-korrupsioni dhe, në fakt, me emrin e tij identifikohej pastërtia. Po rasti i Rezervave shtetërore dhe të tjera problematika të ministrave të tij, që janë raportuar nga media dhe kuptohet nga opozita, tregoi se Kurti nuk i shpëtoi dot këtij fenomeni. Shmangia e interpelancave dhe përballjeve me opozitën dhe një pozicion në parlament, që ata e godisnin më së shumti: indiferenca ndaj transparencës. Mbajtja larg e medias dhe shpesh mospërfillja e tyre, por edhe cinizmi në rritje ndaj tyre ka qenë shumë i dukshëm dhe këtu nuk ndryshon shumë nga Rama. Nga ana tjetër, nuk arriti dot që të menaxhonte uljet për çmimet e shportës dhe energjisë, kur në fillim premtoi shumë që do të kishte kufizime për to, që t’ua bënte jetën më të lehtë kosovarëve. Nepotizmi dhe politizimi i administratës ishin shumë të dukshëm në këtë mandat dhe ndaj media dhe opozita e kanë goditur shumë në këtë hapësirë. Por, një nga gjërat më flagrante ishte e ashtuquajtura përballja me ZAJEDNICA-ën. Duket se nga 22 marsi i vitit 2023, Kurti, e la një nga kauzat, që e mbajti shumë kur erdhi në fuqi: Përballjen kundër Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kauzë e cila e solli në pushtet. Ka një sërë temash, por mbase këto do të mjaftonin më shumë.

Gazeta Express: Marrëveshja e normalizimit me Serbinë mbeti e pazbatuar. A prisni ndonjë gjë të re në këtë drejtim në vitin 2025?

Ben Andoni: Përderisa mbetet më e favorizuar Serbia, duket se gjithnjë do ketë probleme për Kosovën. Një lajm i mirë mund të konsiderohet marrëveshja e ditëve të fundit, e nënshkruar nga kryenegociatorët respektivë: Zv\kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petkoviq për të pagjeturit, një nga plagët më të mëdha të pasluftës për Kosovën. Për fatin e keq, dialogu i cili u asistua nga BE-ja e ka ndihur më shumë Serbinë. Kosova, megjithë gabimet e vogla taktike të qeveritarëve të saj, ka marrë pasojat dhe ndëshkime të tepruara. Ish-kreu i politikës së Jashtme së BE-së, Borell dhe negociatori Lajçak nuk bënë asgjë më shumë për lehtësimin e dialogut, përveç se duhet thënë mbartën gati me të drejtë dhe paragjykimin se ishin përfaqësues të dy vendeve që nuk e njohin Kosovën, respektivisht Spanja dhe Sllovakia.

Aktualisht për Kosovën priten ditë jo të mira, sepse bashkëpunëtori i presidentit Trump, Grenell ka tashmë funksionin e negociatorit kyç në zonat e vështira. Vërtetë interesi i punës do çojë të merret me Ukrainën, Venezuelën dhe Korenë e Veriut, por besojmë se do ketë kohë edhe për Kosovën, që ai e njeh mirë, falë lidhjeve që ka pasur me ish-presidentin Thaçi dhe ato aktualet me kryeministrin Rama.

Po shqetësimi më i madh për marrëveshjet është konceptual: Beogradi dëshiron që të ketë zgjidhjen me anën e projektit të “Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”. Termi Bashkësi (Zajednica- në gjuhën serbe) mund të kualifikohet në të ardhmen edhe si “bashkim”. Kjo do të thotë që ky organizim të ketë gati një organizim shtetëror, që mund të shkojë deri në bashkim me Serbinë (modeli kërcënues i Republika Srpska). Baza dokumentare është te dokumenti që serbët në vitin 2008 (kur u shpall shteti i Kosovës) e emëruan organizimin e tyre lokal (26 komuna??) si Kuvendi i Komunave të Komunitetit Serb në Krahinën Autonome të Kosovës dhe Metohisë.

Prishtina vazhdon të besojë tek “Asosacioni i Komunave me Shumicë Serbe” (AKS), por me përcaktimin e termit Asociacion. Në këtë rast, Asosacioni lidhet më shumë me konceptin e bashkëpunimit ndërkomunal, jo konceptin që kanë serbët. Dhe, për më tepër shqiptarët e konsiderojnë si një OJQ, që nuk i sjell probleme shtetësisë. Është kaq e koklavitur e gjitha, sa nuk besoj që viti 2025 t’i japë zgjidhje një problemi, që merr kaq shumë vite dhe peshon në mes të dy vendeve. Paçka se Kurti, konform Marrëveshjes së Ohrit është dakordësuar ta implementojë një shkallë të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës dhe nga ky moment, është kaq e ndërlikuar e gjitha, saqë debati rreth terminologjisë për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, s’është më politik, linguistik, por duket se lidhet me mbijetesën e një marrëdhënie të vështirë Kosovë-Serbi.

Gazeta Express: A mund të sjell Trump me ide të reja për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ben Andoni: Rikthimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë do të vendosë me gjasë në probleme dhe ide të panjohura, sepse ai do kërkojë zgjedhje shumë pragmatiste mes dy vendeve, ngaqë nuk di të thellohet në detaje, që janë aq të shumta mes Kosovës e Serbisë. Më e mundshmja është që të rivitalizohet sërish Marrëveshja e Uashingtonit, që u nënshkrua nga presidenti serb Vuçiq dhe ish-kryeministri i Kosovës Hoti në praninë e z. Trump dhe stafit të vet.

I vetmi problem i sotëm lidhet me faktin se: Kurti ka disa minuse, që lidhen me qëndrimin e tij ndaj administratës së shkuar amerikane dhe marrëdhëniet e këqija me Grenell, kurse serbët po përpiqen fort të kenë një narracion tjetër me Uashingtonin, madje po mëtojnë se po përgatisin vizitën e presidentit Trump në Beograd.

Nuk duhet harruar se: Kosova dhe Serbia ndërkohë kanë humbur shumë kohë me çështjen e targave, patentave dhe elementë të tjerë në kurriz të çështjeve më themelore. Dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, shqetësuese mbetet edhe humbja e kohës që bëhet nga ana e Bashkimit Evropian me gjëra shumë skajore dhe imponimin e formës së dialogut, që tregon sesa pak e njeh rajonin, i mbathur me aq shumë probleme.

Gazeta Express: Express: Si e shihni pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe në raport me ndërkombëtarët këtë vit?

Ben Andoni: Është e vështirë të llogaritet pa u mbyllur fushata zgjedhore dhe aprovimi i strukturës së qeverisë së re në Kosovë, pas zgjedhjeve të Shkurtit; ashtu si edhe mbijetesa e tanishme e kryeministrit serb Vuçeviq, pas protestave të studentëve, që mund të ketë inerci edhe për peshën e ardhshme në jetën e vendit të presidentit Vuçiq. Anipse, rëndësia më e madhe për marrëdhënien do lidhet me mesazhet e para, që do na vinë nga administrata e Uashingtonit. I gjithë Ballkani politik po pret shumë për heqjen e Non-Gratave të shumta në rajon, si edhe në angazhimin e dialogut dhe qëndrimin ndaj Prishtinës e Beogradit. Personalisht nuk besoj të ketë ndryshime qëndrimi. Ashtu, si nuk besoj që Kosova do ketë menjëherë ndryshime nga Brukseli, pasi ekipi i ri i BE-së i duhet të kuptojë më së pari qëndrimet dhe modalitetet e reja sesi do të ndjekin debatin-dialog Kosovë-Serbi.

Gazeta Express: A janë të vlefshme sipas jush këshillat që kryeministri Edi Rama ia jep herë pas here publikisht kryeministrit Albin Kurti për qasjen e tij në dialogun me Serbinë dhe në raport me Perëndimin, siç ndodhi edhe tash së fundmi në mbledhjen e përbashkët parlamentare në Prishtinë?

Ben Andoni: Më duken të tepruara. Këshillat e mira zakonisht jepen pa tam-tamet e medias. Që do të thotë se dy kryeministrat mund të takohen formalisht dhe jo formalisht dhe të shpalosin qëndrimet por edhe të ndihmojnë në pikat, ku e shohin të arsyeshme. Mënyra sesi Kryeministri Rama përgjatë disa viteve i ka bërë propozimet, më janë dukur pak si karshillëk për Kosovën dhe lidershipin e saj. Kështu ndodhi dhe me propozimin e fundit, që është artikuluar më parë nga diplomatë perëndimorë, ashtu si edhe nga presidentja Osmani. Ideja që Kosova do të duhej të zbatonte në formë unilaterale Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit është pak e pavend, pasi Prishtina dhe Beogradi u duhet ta gjejnë gjuhën, pasi në mes janë shumë tema me interes. Ashtu, si duhet një marrëveshje mes tyre, që të procedohet me hapat e tjera, qoftë për Kosovën por edhe për Serbinë. Nga ana tjetër, edhe nëse Kosova do e pranonte propozimin e Ramës, Serbia përballë e ka shprehur qartë se nuk e respekton marrëveshjen dhe madje u bë dhe një letër zyrtare për këtë angazhim nga Beogradi.

Gazeta Express: A shihni diçka që do të duhej të kishte marrë Kurti diçka prej këshillave të Ramës gjatë vitit 2024, e që do të mund t’i sillte sukses vendit?

Ben Andoni: Përveç qetësisë dhe dëgjimit më të mirë të partnerëve ndërkombëtarë, besoj se këshillat e Ramës shkojnë në vesh të shurdhët, pasi Kurti ka idetë e tij për dialogun dhe krejt marrëdhëniet e politikës së jashtme së Kosovës. Atë që z. Rama e quan ‘reciprocitet nacionalist’ përbën në fakt kontekstin e reciprocitetit evropian: Kosova ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, sepse janë fqinjë dhe ndajnë burime natyrore mes tyre, ndërkohë që integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian, lidhet me ecurinë e tyre në dialog dhe progresin atje.

Më pak fjalë, Kosova ende duket se nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Serbinë pa vullnetin e Beogradit, gjë e cila duket e huaj nga çdo krah politik, përveç pak personazheve. Atë që kryeministri Rama e ka quajtur “kërthizë të reciprocitetit nacionalist” e hedh poshtë një fakt, që Serbia nuk e do simetrinë e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërkohë që Prishtina nënvizon se do e njohë Serbinë, kur të kalojnë disa hallka, autoritetet serbe qoftë të pozitës apo të opozitës e hedhin poshtë kategorikisht këtë njohje ndaj asaj që e quajnë me cinizëm i ashtuquajturi shteti i Kosovës.

Gazeta Express: Marrë parasysh zgjedhjet parlamentare që mbahen më 9 shkurt, a mund të parashikoni se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2025?

Ben Andoni: Uroj që të ketë zhvillim ekonomik më të mirë, por dyshoj sepse politikanët shqiptarë gjithnjë e më shumë janë të huaj për popujt tanë. Problem kyç, në rast se do aktivizohet dialogu, mbetet çështja e Asociacionit, si edhe dërgimi i draft-statutit të tij në Kushtetuese. Do jemi gjithë sy e vesh për artikulimet e administratës së re të Departamentit të Shtetit, lidhur me Kosovën. Ndërkohë, që uroj që administrata e re e Ekzekutivit të Kosovës të punojë më shumë me Tiranën zyrtare për kandidaturën në Këshillin e Evropës. Dhe, sfida më e madhe, që duhet të mbarojë mbetet që të hiqen shtrëngesat e BE-së, pasi po zgjatën kështu, do e kufizojnë shumë normalitetin e çdo qeverie të ardhshme të Kosovës. Për këtë mbase do duhet dhe një fushatë sensibilizuese e Tiranës.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here