Pas shtëpisë modeste të hoxhës me hije ‘kumbari’ Elvis Naçi në periferi të Tiranës, fshihet një perandori e frikshme financiare, produkt i vjedhjes së fondeve të tërmetit dhe donacioneve për të pamundurit, skemave të mashtrimit, propagandës, censurës së youtube, pastrimit të parave, transaksioneve të dyshimta, pazareve dhe dallavereve financiare.
‘Truri’ i skemave të pasurimit, pastrimit të parave, propagandës dhe censurës së Elvis Naçit është ky personazh i quajtur Ilir Hoxholli.Pronar i disa dyqaneve dhe lokaleve me burim të dyshimtë, Ilir Hoxholli njihet si dora e zezë e Elvis Naçit në kalkulimet financiare, investimet, devijimin e fondeve etj.
Hoxholli, jo rastësisht, ka mbajtur pozicionin e Sekretarit të Komitetit të Rindërtimit, një proces që sipas disa investigimeve është përdorur për të zhvatur miliona euro.
Në këtë pozicion u emërua nga vetë Kryeministri, i cili në 30 dhjetor të vitit 2019, u shpreh; “Por përpara se ti jap fjalën drejtuesit për të bërë një përditësim të situatës, dëshiroj që të ndaj me ju mendimin që në kushtet kur kryetari i komitetit, zoti Ahmetaj është emëruar ministër për Rindërtimin, do të caktojmë një sekretar të komitetit dhe me shumë kënaqësi do të propozoja, që zoti Ilir Hoxholli, që ndajmë një eksperiencë pune dhe përfaqëson pjesën tjetër, organizatat solidare për njerëzit në nevojë. Ai garanton një pjesëmarrje të drejtpërdrejt edhe në procesin e koordinimit, duke garantuar një ndërveprim konkret, çdo hap me të gjithë faktorët e tjerë dhe duke garantuar edhe praninë e një syri më të dedikuar në aspektet e transparencës”.
Dhe Rama, i cili i ka gjysmën e ministrave dhe drejtorëve në burg për vjedhje, nuk zhgënjen kurrë me zgjedhjet e tij. Fondet e rindërtimit përfunduan në grushtin e një çete klientësh, ndërsa miliona euro të mbledhura nga shoqatat e bamirësisë, u zhdukën.
Elvis Naçi dhe Ilir Hoxholli u shfaqën kudo me qese ushqimesh në dorë. Nga ana tjetër, nisën të mblidhin fondet, duke përdorur fondacionin me karakter familjar të Naçit, ‘Firdeus’.
Elvis Naçi ka deklaruar që ndihmat e mbledhura nëpërmjet fondacionit ‘Firdeus’, për rastin e tërmetit, kapin vlerën e mbi 9 milionë eurove. Në 12 gusht të vitit 2020, Fondacioni Firdeus, përfaqësuar nga Elvis Naçi dhe Ministria e Shtetit për Rindërtim nga Arben Ahmetaj, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për ndërtimin e 168 banesave për të pastrehët në Thumanë.
“9 milionë e 50 mijë euro donacione nga shqiptarët për shqiptarët, do të shkojnë për rindërtimin e 168 banesave individuale në Thumanë, e në varësi të nevojës, edhe në njësi të tjera brenda zonës së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit“, thuhej në njoftimin zyrtar.
Nga të dhënat që kemi siguruar rezulton se 160 shtëpi të ndërtuara nga Naçi me paratë e mbledhura nga Fondacioni Firdeus, përfshijnë në total rreth 13 mijë m2 ndërtim.
Një banesë është mesatarisht 80 m2. Qeveria hoqi TVSH dhe të gjitha taksat, duke ulur në maksimum koston e ndërtimit. Kostoja e ndërtimit nuk kalon më shumë se sa 300 euro metri katror. Madje me lehtësirat e shtetit, kostoja e metrit katror ka zbritur në 200 euro.
Kujtojmë që në periferi të Tiranës, fondacione të tjera kanë ndërtuar shtëpi me kosto edhe 215 euro m2. Rreth 13 mijë m2 ndërtim, pra 168 banesa, kushtojnë 3.8 milionë euro. Fondacioni Firdeus ka deklaruar mbi 9 milionë euro donacione, plus 500 mijë euro që ia ka dhënë mediave afër tij. Pra në total 9.5 milionë euro.
5.7 milionë euro kanë avulluar në fondacionin e errët dhe familjar të Elvis Naçit.
Ku kanë përfunduar 5.7 milionë euro të zhdukura?
Përpos Elvis Naçit, se ku kanë përfunduar paratë e di edhe ‘dora e tij e zezë’, Ilir Hoxholli, të cilin Edi Rama e quajti ‘syrin e transparencës’.
Përgjigja e kësaj pyetje i takon SPAK-ut, por ne si media po paraqesim disa indicie.
Kjo qendër fizioterapie te Komuna e Parisit, e quajtur Canadian Physio Center, një investim qindra mijëra euro, dyshohet se është një pasuri e Elvis Naçit, kamufluar në emrin e vëllait të tij, Ilir Naçi, i cili fillimisht kishte 90 % të aksioneve dhe aktualisht 50 % të aksioneve.
Qendra e fizioterapisë është hapur në shtator të vitit të kaluar, me burim të dyshimtë parash, kamufluar me një kompani fantazmë me kapital 100 mijë lekë.
Në emrin e Ilir Naçit, rezultojnë disa pasuri të paluajtshme me vlerë miliona euro si apartamente, lokale dhe një hotel në Vlorë. Pronari real i këtyre pasurive dyshohet se është Elvis Naçi, ndërsa burimi i parave dyshohet se është fondacioni i tij familjar.
Një vit pas tërmetit, kur kishte mbledhur paratë, befas Naçi hapi një dyqan luksoz syzesh, ndërsa bëri thirrje që njerëzit të luteshin që t’i ecte mbarë pazari.
“Beni lutje vëllezer dhe motra që dyqani optikës, ‘Optika Elitare Milano’, që kam hapur të na shkojë mbarë, nëse ecën mirë kam deshirë të dhuroj një shtëpi për një familje të varfër inshaAllah. Zoti ju begatoftë. Amin”, shkruante Naçi në Facebook.
Biznesi i ri me emrin “Optika Elitare Milano” është një investim me vlerë dhjetëra mijëra euro. Nuk dihet nëse këtë dyqan e ka ngritur me paratë e mbledhura për tërmetin apo me donacionet për njerëzit në nevojë, pasi Naçi ka disa linja mashtrimi dhe përvetësimi parash.
Bashkëshortja e Elvis Naçit, Fatime Naçi, e njohur si Fatma, rezulton anëtare e bordit drejtues të Fondacionit Firdeus, bashkë me Andi Qinamin, i cili është baxhanaku i Elvis Naçit. Emri i saj është lidhur gjithashtu me disa pasuri me burim të dyshimtë, përfshirë dyqane në Tiranë.
Pjesë e bordit janë Marvin Naçi, i cili është djali i xhaxhait të hoxhës sheik, si dhe Florian Brinja, i cili është djali i tezes së Naçit. Në emër të rrethit të afërt të Naçit, pjesë të fondacionit si anëtarë bordi, figurojnë disa biznese, për të cilat nuk e dimë nëse burojnë apo jo nga fondacioni.
Skema me operacionet
Avullimi i fondeve të mbledhura për familjet e prekura nga tërmeti, nuk është afera e vetme e dyshuar e Elvis Naçit dhe mëkëmbësit të tij Ilir Hoxholli.
Skema kryesore konsiston në mashtrimin me koston e operacioneve shëndetësore. Nëse një operacion kushton 20 mijë euro, në letra deklarohet 100 mijë euro, duke vjedhur kështu paratë. Nuk mund të mohohet se janë ndihmuar fëmijë në nevojë, por në emrin e tyre dyshohet se janë zhvatur miliona euro prej vitesh.
Pastrim parash me spitalin?
Në nëntor 2019, fondacioni bamirës “Firdeus” i drejtuar nga hoxha popullor Elvis Naçi, tërhoqi vëmendjen mediatike kur u zbulua se pati blerë 100% të aksioneve të një spitali privat të vogël me emrin ‘Continental’ për një shumë prej 350 mijë eurosh. Hoxha që grumbullon donacione në ndihmë të të varfërve, u ekspozua në këtë rast për fuqinë financiare të fondacionit Firdeus.
Naçi u mbrojt duke argumentuar se spitali do të shërbejë, mes të tjerash për të ofruar shërbim shëndetësor për njerëzit e varfër. Por ajo që nuk u vu re në atë kohë ishte gjendja financiare e kompanisë që u ble për këtë shumë.
Spitali Continental në fakt rezulton një sipërmarrje me humbje të vazhdueshme financiare, sipas të dhënave të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Befas, pas blerjes nga Naçi humbjet nisën të thelloheshin dhe xhiroja të rritej. Sa më shumë rritet xhiroja vjetore, aq më shumë thellohet humbja.
Në tetor të vitit 2021, Naçi i shiti Spitalin ‘Continental’ Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për një shumë prej 850 mijë euro. Tani spitali është një nga qendrat e mira spitalore në Tiranë.
Qarkullimi i parave që ngre dyshime të forta
Gjatë viteve 2020-2021, që përkojnë me kohën pasi Naçi mblodhi 9.5 milionë euro për tërmetin, xhiroja e Spitalit Continental në pronësi të Naçit është rreth 6 milionë euro, duke shënuar vlerën më të madhe. Në vitin 2020, edhe xhiroja vjetore ishte 2.5 milionë euro, spitali rezulton me humbje rreth 200 mijë euro. Në vitin 2021, xhiroja vjetore është 3.5 milionë euro, ndërsa fitimi rreth 220 mijë euro. Është i vetmi vit që spitali ka dalë me fitim.
Në vitet 2020-2021, Elvis Naçi ka qarkulluar në spital rreth 6 milionë euro, ka dalë me vetëm 20 mijë euro fitim, duke e shitur më pas spitalin 850 mijë euro nga 350 mijë euro që e bleu në 2019./Pamfleti