Ditëve të fundit, presidenti i ShBA-së Donald Trump, disa herë ka deklaruar se e ka ndaluar një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës.
E tash së fundmi, Forca e Sigurisë së Kosovës, është pajisur me disa autoblinda amerikanë.
Kjo temë e sigurisë, u trajtua sot në edicionin më të ri të emisionit Kosova Today.
Eksperti Nuredin Ibishi, përmendi faktin se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kishte urdhëruar ushtrinë dhe inteligjencën.
“Pak kujt i ka bërë përshtypje, kur para diku dy muajsh nga Këshilli i Sigurisë rrodhi si informacion se presidenti i Serbisë i ka urdhëruar tri komponente të ushtrisë, inteligjencën dhe njësitë elitare të policisë së Serbisë që të hartojnë plane operacionale për veprim ndaj Kosovës. Ky është kërcënim i hapur”, deklaroi Ibishi në Klan Kosova.