Humbi në mal teksa mblidhte gështenja me të ëmën, vijon operacioni i kërkim-shpëtimit për 26-vjeçarin e zhdukur

Prej më shumë se dy ditësh, forcat e Policisë, emergjencat civile të Tropojës, ushtria nga Kukësi, banorë të zonës dhe ekipe të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës janë të angazhuar intensivisht në një operacion kërkimi për gjetjen e një 26-vjeçari të zhdukur në zonën malore mes fshatrave Mulliq dhe Kamenicë, në Tropojë.

I riu është raportuar i humbur që nga pasditja e 20 tetorit 2025, kur ndodhej në zonën e quajtur Kamenicë së bashku me nënën e tij, duke mbledhur gështenja. Sipas informacioneve paraprake, ai ishte duke ruajtur thasët me gështenja, ndërsa e ëma ishte larguar për pak kohë.

Në kthim, ajo nuk e gjeti më djalin dhe njoftoi menjëherë Policinë e Tropojës.

Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira atmosferike, me reshje të dendura shiu dhe mjegull të dendur, që e bëjnë të vështirë lëvizjen në zonat e thella malore. Vështirësi shtesë në kërkim paraqet edhe fakti se 26-vjeçari nuk ka me vete një telefon celular, duke e bërë të pamundur lokalizimin e tij përmes sinjalit.

Për shkak të natyrës kufitare të zonës me Republikën e Kosovës, operacioni është shtrirë edhe përtej kufirit, në territorin kosovar, pasi ekziston dyshimi se i riu mund të ketë kaluar në mënyrë të pavetëdijshme në anën tjetër të kufirit, duke ndjekur terrenin e pyllëzuar dhe të pasigurt.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë të angazhuara me kontroll në terren dhe me përdorim dronësh, të vënë në dispozicion nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, për të mbuluar zonat më të vështira dhe të paarritshme.

Deri në këto momente, kërkimet janë përqendruar në disa lokacione të dyshimta, por nuk ka ende asnjë gjurmë konkrete për vendndodhjen e 26-vjeçarit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME