Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.Në një postim në profilin e tij zyrtar ne Facebook, Haradinaj ka theksuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka garuar me një vizion të qartë për sigurinë, nga e cila do të derivonin edhe siguria ekonomike dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.
Rezultatin e kemi pritur ndryshe, por kjo asnjëherë nuk do të thotë se harrojmë të ju jemi mirënjohës përzemërsisht 66 mijë e 256 votuesve të Aleancës,” ka shkruar ai.Haradinaj ka theksuar se AAK do të vazhdojë të punojë për një Kosovë të sigurt, të zhvilluar dhe të avancuar ndërkombëtarisht, pavarësisht numrit të votave dhe përfaqësimit politik. Ai ka përsëritur angazhimin e Aleancës për qytetarët, duke e quajtur këtë një “kontratë të përjetshme”.
Do të jemi këtu, gjithmonë në shërbimin e secilit qytetar, pa përjashtim. Aleanca ka qenë dhe është në kontratë të përjetshme vetëm me qytetarin e Kosovës. Kosovë, paç ditë të bardha përpara!” ka përfunduar Haradinaj.