Vendet evropiane që mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus po përgatisin një valë të re sanksionesh kundër presidentit rus Vladimir Putin. Ky veprim vjen pasi Putini nuk u paraqit në bisedimet e shumëpritura midis Kievit dhe Moskës, të cilat duhej të zhvilloheshin në Stamboll.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të takohen këtë të premte Tiranë për të diskutuar mënyrat e ndaljes së luftës në Ukrainë.
Dy zyrtarë evropianë kanë zbuluar se vendosja e tarifave të larta për importet ruse është në diskutim, mëson Politico.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të konsiderueshme ndaj Moskës, por deri më tani është përmbajtur nga një bllokadë e plotë tregtare.
Një ditë para bisedimeve në Stamboll, një zyrtar i lartë britanik la të kuptohej se, në rast dështimi, bisedimet midis udhëheqësve evropianë mund të ktheheshin shpejt në një temë të vetme: sanksione të reja dhe më të ashpra kundër Rusisë.
Siç tha ai, në atë rast, diskutimi do të sillet kryesisht rreth mënyrës se si të bashkohen sa më shumë vende për të mbështetur këto masa. Pastaj Franca, Gjermania dhe Polonia i lëshuan së bashku një paralajmërim serioz Kremlinit, duke deklaruar se nëse Rusia nuk pranon menjëherë një armëpushim të plotë dhe pa kushte, do të pasojë një valë sanksionesh të reja, raporton Politico.
Sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian, shtytja e fundit për sanksione shtesë u nxit gjithashtu nga një propozim i senatorit republikan amerikan Lindsey Graham, i cili propozoi vendosjen e tarifave deri në 500 përqind ndaj eksporteve ruse nëse Putini nuk i ndal sulmet ndaj Ukrainës. “Mund të frymëzohemi nga shkalla e propozimit të tij”, tha zyrtari evropian.