Një grafit me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është shfaqur mbrëmjen e djeshme në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas Policisë së Kosovës, grafiti u identifikua pas orës 21:00 në rrugën “Vasilia Ostrovski” dhe përmbante një mesazh të shkruar në gjuhën serbe me alfabet cirilik, ku në përkthim thuhet:
“Me agimin që po lind në Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur.”Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për KosovaPress se rasti është klasifikuar si “kanosje”, pas konsultimeve me prokurorin kujdestar.
“Elshani sqaroi se grafiti ishte publikuar fillimisht në rrjetin social serb ‘Korridori’ në Telegram, dhe më pas u shfaq edhe fizikisht në një mur të Mitrovicës së Veriut,” thuhet në deklaratën e tij.
Aktualisht, nuk ka as të dyshuar dhe as persona të arrestuar në lidhje me këtë incident. Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë.