Të hënën që lamë pas, zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka takuar Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Takimi shënon një moment të rëndësishëm në vazhdimësinë e angazhimeve institucionale të Republikës së Kosovës në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në fokus të bisedës ishin zhvillimet e fundit politike, pritjet për fazën e ardhshme të dialogut, si dhe koordinimi ndërinstitucional për të siguruar një qasje më të konsoliduar dhe efektive në këtë proces.
Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me synimin për të forcuar dimensionin diplomatik dhe për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen institucionale në këtë proces me rëndësi strategjike për vendin.
Halilaj: Glauk Konjufca njihet për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe shpesh më të ashpra në raport me Serbinë
Avokati Gazmend Halilaj, në një përgjigje për “Bota sot”, u shpreh se njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që dialogu me Serbinë do të udhëhiqet nga Glauk Konjufca përbën një zhvillim të rëndësishëm politik dhe diplomatik për Kosovën.
Sipas tij, Konjufca, si figurë kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje, pritet t’i japë dialogut një qasje më të qartë politike, me theks në sovranitetin, integritetin territorial dhe njohjen reciproke, duke mbajtur një qëndrim më të fortë ndaj Serbisë.
“Njoftimi i Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës se dialogu me Serbia do të udhëhiqet nga ministri Glauk Konjufca përbën një zhvillim të rëndësishëm politik dhe diplomatik për Kosovën. Duke qenë një nga figurat kryesore të Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe një politikan me profil të qartë publik, pritet që ndikimi i tij në procesin e negociatave të jetë i dukshëm, si në përmbajtje ashtu edhe në stilin e udhëheqjes së dialogut.
