Gjermania dhe Franca “divorc” për “super avionin luftarak”, bie marrëveshja e FCAS

Nuk shkoi dot drejt finalizimit bashkëpunimi mes Francës dhe Gjermanisë për avionin luftarak FCAS: Dy vendet njoftuan se do ta braktisin programin e përbashkët në mesin e përplasjeve që kanë shpërthyer mes kompanive të përfshira, Dassault Aviation dhe Airbus.

Programi, i nisur në 2017 për të zëvendësuar Rafale-t franceze dhe Eurofighter-t gjermane dhe spanjolle, shihej si një hap kyç drejt bashkëpunimit europian në sektorin e mbrojtjes. Konfliktet mbi drejtimin e projektit, ndarjen e punës, pronësisë intelektuale dhe kërkesat e ndryshme ushtarake e bënë të pamundur realizimin e një avioni të vetëm të përbashkët.

Franca kërkonte një aeroplan të aftë për transport dhe armë bërthamore, ndërsa Gjermania nuk e shikonte nevojën për një gjë të tillë. Propozimet për dy variante të ndryshme nuk morën miratimin e përbashkët. Megjithatë, projekti nuk mbyllet plotësisht. Zhvillimi i “Combat Cloud”, një rrjet digjital që lidh avionë, dronë dhe sisteme të tjera armësh, do të vazhdojë.

Ministritë e Mbrojtjes franceze dhe gjermane po planifikojnë bashkëpunim në projekte më të vogla dhe të realizueshme. Vendimi shënon një kthesë: në vend të një avioni të përbashkët, Franca dhe Gjermania do të ndjekin dizajne kombëtare nën një ombrellë teknologjike të përbashkët.

Airbus mund të kërkojë partnerë të rinj, ndërsa Dassault do të vazhdojë zhvillimin e gjeneratës tjetër të Rafale.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME