Të paktën katër persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget u fundos në ishullin turistik të Balit në Indonezi, thanë ekipet e shpëtimit.
Anija mbante 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit kur u fundos në orën 23:20 sipas kohës lokale (15:35 GMT) të mërkurën, ndërsa ishte duke udhëtuar për në Bali nga Banyuwangi në bregun lindor të ishullit Java, tha zyra e Surabayas e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit.
Njëzet e nëntë të mbijetuar janë shpëtuar, thotë agjencia, ndërsa kërkimet vazhdojnë.
Autoritetet po hetojnë shkakun e fundosjes. Operatori i tragetit i tha medias lokale se anija kishte raportuar probleme me motorin pak para se të fundosej.
Shumë nga të mbijetuarit janë banorë të qytetit bregdetar të Banyuwangi, ndërsa të tjerë vijnë nga zona më të brendshme të Java-s, sipas një liste të publikuar nga autoritetet.
Presidenti Prabowo Subianto ka urdhëruar një reagim të menjëhershëm emergjent nga Arabia Saudite, ku ndodhet për një vizitë zyrtare.