Franca ka shprehur mbështetjen për Gjykatën Penale Ndërkombëtare pasi kërkoi urdhër arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant si edhe udhëheqësit e Hamasit, dy liderët e lartë Mohammed Diab Ibrahim al-Masri dhe Ismail Haniyeh.
“Franca mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj dhe luftën kundër mosndëshkimit në të gjitha situatat”, tha ministria e saj e jashtme në një deklaratë, raporton Reuters.
Mbështetja e Francës për vendimin e gjykatës shënon një ndarje midis pozicionit të saj dhe atij të aleatëve, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Italinë.
Ministria “dënoi masakrat antisemite nga Hamasi” gjatë sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor, i cili u “shoqërua me akte torture dhe dhunë seksuale”.
Në deklaratën e ministrisë së Jashtme theksohet gjithashtu se Franca kishte paralajmëruar Izraelin “për nevojën për respektim të rreptë me ligjin ndërkombëtar humanitar, dhe në veçanti për nivelin e papranueshëm të viktimave civile në Rripin e Gazës dhe aksesin e pamjaftueshëm humanitar në enklavë”.
Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan tha të hënën se kishte kërkuar urdhër-arrest për Netanyahun dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime që përfshijnë “vrasje me dashje”, “shfarosje dhe/ose vrasje” dhe “vrasje nga uria” gjatë luftës në Gaza.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e quajti “skandaloze” kërkesën për urdhër-arrest kundër kryeministrit izraelit dhe ministrit të mbrojtjes.