Arbër Bytyqi, të mërkurën e kalonte si rëndom brenda argjendarisë, biznes ky familjar që nga viti 1987. Në orën 15:45, rutina 36 vjeçare e punës u trazua kur katër persona hynë në lokal dhe e lidhën për t’ia grabitur gjithë sasinë e arit.
“Unë jom kanë këtu mbrapa tu nejtë si zakonisht… ka hy hajni me maskë me allti. Më ka shtri, më ka lidhë, edhe ka vazhdu. Ka thanë “plaçkë grabitje…” edhe ma s’maj n’men”, tha Bytyqi.
Lëndimi në duar që iu shkaktua nga lidhësja, beson se do t’i shërohet por dëmin material 31 vjeçari thotë se e ka të vështirë ta rikuperojë.
“Sasi të arit kanë vjedhë diku rreth 200 mijë euro vlerë…”, tha Bytyqi.
Ndonëse me vete morën arit plaçkitësit prapa lanë gjurmë e dëshmi që mund t’u shërbejnë hetuesve.
“Një çekiq e kanë lanë me të cilin i kanë thy gjamat. Pastaj ka pasë gjak ku i kanë shti duart me I marrë kutijat. Këto dëshmi i ka marrë policia”, tha Bytyqi.
Dëshmitar i ngjarjes ishte edhe Nazif Shala, i cili pa gati gjithçka nga kjo qoshe që ndodhet rreth 50 metra larg lokalit ku ndodhte grabitja. Në një moment pa veten fare afër njërit prej plaçkitësve.
“Na e kena pa tmerrin me sy. Këtu ka qenë gëzhoja e fundit. Nga këtu kanë gjujtë. Qaj i fundit këtu ka hypë në kerr. Edhe ishin kanë të përgatitur sa nuk ka. Kishin pasë antiplumba të mirë, e ishin kanë të mëdhej ka 2 metra. Qaj mas mbrami ma ka ba me dorë “largohu”. Jam largu. E kam marrë djalin”, tha Shala.
Nga ky drejtim, sipas banorëve rruga shpie në qytete tjera.
Rasti i cilësuar si “grabitje e armatosur”, tani i ka kaluar Drejtorisë në Prishtinë, derisa polici i plagosur në këmbë vazhdon të trajtohet./atvlive.tv