Si rëndom seanca e Kuvendit, as sot nuk filloi me kohë, por gati me një orë vonesë. Andaj, ata pak deputetë që erdhën në orën 10:00, patën mundësi të bisedojnë.
Kaq relaksuese situata nuk ishte edhe kur nisi të diskutohej për numrin e kontratave njëburimore gjatë Qeverisë Kurti 2, për çka edhe u thirr seanca e së enjtes.
Sipas opozitës kontratat me procedurë të negociuar janë burim i korrupsionit.
Por, ministri i Infrastrukturës nuk e pati të qartë, përse erdhi sot në Kuvend.
“Unë nuk jam duke e ditur pse më keni thirrë mua, krejt çka u fol qetu nuk ka të bëjë me mua. Deputetja që e ka thirrë seancën e filloi fjalimin e saj dhe përfundoi dhe në rastin kur duhej të fliste për Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021, tha 10 milionë, por që realisht është 1 milion. Për me arsyetua pse më kanë thirr mua, thanë që kur vjen puna te Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tha 10 milionë”, tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Debati u ashpërsua kur deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Halil Thaçi, akuzoi ish-ministren e Financave se edhe në kohën e saj, ishin nënshkruar disa kontrata me procedurë të mbyllur.
Pas kësaj situate, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, lëshoi sallën.
Për shkak të ofendimeve, siç tha edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci u lagua nga drejtimi i seancës.
Iniciuesja e seancës, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, paraqiti rezolutën, ku mes tjerash paraqiti nevojën edhe të themelimit të një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratat njëburimore.
Mirëpo, kjo rezolutë nuk u hodh në votim për shkak se nuk kishte kuorum për vendimmarrje. /atvlive.tv