Gazeta Financial Times, shkruan se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar prej muajsh Ukrainën në realizimin e sulmeve me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë, në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët për të dobësuar ekonominë ruse dhe për ta detyruar presidentin Vladimir Putin të ulet në tryezën e negociatave.
Sipas artikullit, ku citohen burime anonime nga autoritetet ukrainase dhe amerikane, shërbimet amerikane të inteligjencës kanë ndihmuar Kievin të godasë objektiva të rëndësishme energjetike në Rusi, përfshirë rafineri nafte që ndodhen larg vijës së parë të frontit.
Që nga gushti 2025, dronët ukrainas kanë goditur të paktën 16 nga 38 rafineritë e naftës në Rusi, sipas Financial Times, duke bërë që eksportet e naftës diesel të bien në nivelet më të ulëta që nga viti 2020.
Mbështetja amerikane për Ukrainën përfshin, sipas raportimeve, edhe ndihmë në planifikimin e rrugëve të fluturimit, kohës, lartësisë dhe taktikave të përdorura nga dronët ukrainas, duke u mundësuar atyre të shmangin sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.
Burime për Financial Times kanë thënë se SHBA është e përfshirë në çdo fazë të planifikimit operacional, megjithëse Kievi ruan kontrollin mbi përzgjedhjen e objektivave. Uashingtoni ofron këshilla për pikat e dobëta të objektivave që synohen.
Sipas burimeve të FT, kjo lëvizje është pjesë e një përpjekjeje të koordinuar për të dobësuar ekonominë e presidentit rus Vladimir Putin dhe për ta shtyrë drejt tryezës së negociatave.
Kievi u ka bërë thirrje partnerëve perëndimorë të ashpërsojnë sanksionet ndaj sektorit energjetik të Rusisë, duke argumentuar se ulja e të ardhurave nga nafta do ta kufizonte më tej aftësinë e Moskës për të financuar luftën kundër Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë, zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi këto raportime.