Evropa digjet nga zjarret, viktima, evakuime dhe temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë

Evropa Jugore po përballet me një valë të nxehti që ka shkaktuar dhjetëra zjarre në disa vende të rajonit. Temperaturat mbi 40°C dhe thatësira e tejzgjatur kanë bërë që flakët të përhapen me shpejtësi, duke e vështirësuar kontrollin e tyre.

Spanja është vendi më i goditur, ku aktualisht po luftohen 14 vatra të mëdha. Për pasojë, tre persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe dy zjarrfikës vullnetarë që ndihmonin në terren. Autoritetet kanë shpallur nivelin më të lartë të rrezikut, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë se kushtet pritet të përkeqësohen.

Situata është e rëndë edhe në Portugali. Atje u raportua viktima e parë e këtij sezoni, një ish-kryetar komune, ndërsa mbi 4,000 zjarrfikës po përballen me shtatë zjarre madhore që kërcënojnë zona të banuara.

Në Greqi, flakët kanë hyrë në ditën e katërt në ishullin Kios, ku janë dhënë urdhra të rinj evakuimi. Edhe Turqia po përballet me shpërthime të ngjashme, pasi disa provinca raportojnë zjarre që po përhapen nën të njëjtat kushte ekstreme.

Përballë kësaj krize të përbashkët, qeveritë e rajonit kanë kërkuar mbështetje nga Bashkimi Evropian, i cili ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile. Përmes tij, po dërgohen mjete ajrore dhe ekipe të specializuara për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Ekspertët paralajmërojnë se zjarret e këtij viti janë dëshmi e drejtpërdrejtë e ndikimit të ndryshimeve klimatike. Sipas tyre, Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2024 është më i nxehti i regjistruar ndonjëherë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME