Forumi i Rinisë së LDK-së kanë ndezur qirinjë për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu, i cili u vra ditë më parë në Podujevë.
Sipas rinisë së LDK-së, nga kjo ngjarje makabre “është rrezikuar siguria e të rinjve, është shuar shpresa për jetë të mirë”.
“Të rinjve duhet t’u sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë, në shkollë dhe në të gjitha vendet ku ata veprojnë”, ka thënë kryetari i Forumit të Rinisë, Paris Guri.
Njoftimi i plotë:
Forumi i Rinisë së LDK-së ndezën qirinjë për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu të cilit padrejtësisht; në mënyrë mizore iu mor jeta.
“Sot, të gjithë jemi Lulzimi!
Ndezëm qirinjë për ta kujtuar Lulzimin, që padrejtësisht e në mënyrë makabre iu morrë jeta në lule të rinisë!
Lulzimin nuk guxojmë asesi ta shohim si një lajm shtesë në kronikën e zezë. Sot të gjithë jemi Lulzimi, sepse nuk është vrarë vetëm Lulzimi, është rrezikuar siguria e të rinjve, është shuar shpresa për jetë të mirë.
Bashkë me forumin e degës në Podujevë kërkuam, llogaridhënie e përgjegjësi nga institucionet publike, asgjë më pak! Kanë obligim kushtetues për të mbrojtur të drejtat e njeriut! Rasti tronditës i Lulzimit duhet të jetë alarmues për të gjithë; duhet t’i thërrasë ndërgjegjes institucionale dhe ndërgjegjes sonë kolektive në mënyrë që masat parandaluese dhe mbrojtëse për sigurinë e të rinjve të ndërmerren në mënyrë emergjente.
Të rinjve duhet t’u sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë, në shkollë dhe në të gjitha vendet ku ata veprojnë”, ka thënë kryetari i Forumit të Rinisë, Paris Guri.