Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kjo parti do t’i drejtohet sot me pyetje kësaj gjykate lidhur me çështjen e komisionit për votimin e fshehtë për të parin e kuvendit, shkruan Gazeta Express.
Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Ai njoftoi edhe se tashmë LDK e ka përgatitur draftin.
“Ne prapë kemi me dërgu nesër, grupi i deputetëve të LDK-së e ka përgatitur draftin në Gjykatë Kushtetuese ku do të kërkojë shpjegim dhe vlerësim të Kushtetueses në lidhje me çështjen, sepse ne po ftohemi që të votojmë për një komision ad-hoc i cili në procedurë e sipër, kryesuesi fton pa të drejtë”, tha ai dje në Klan Kosova.
Nënkryetari i LDK deklaroi se është ‘’eksplicit në kërkesë’’, çështja se a ka të drejtë kryesuesi të vazhdojë që t’i ftojë deputetët që të zgjedhin këtë komision.
“Ne do t’i drejtohemi në këtë frymë të vendimit që e ka sjellur, se a ka të drejtë kryesuesi të vazhdojë që t’i ftojë deputetët që të zgjedhin komision ad-hoc për votim të fshehtë. Është eksplicit në kërkesë”, ka shtuar ai.
Ndryshe, dje PDK-ja dorëzoi në Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Nga kjo parti u tha se kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston: Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë; Hedhjen në votim të këtij Komisioni; Vetë votimin e Komisionit; Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.