Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është takuar në Stamboll me liderin e përkohshëm të Sirisë Ahmed al-Sharaa.
Bëhet e ditur se vizita e papritur e liderit të përkohshëm të Sirisë në Stamboll vjenj pas takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Arabinë Saudite.
I shpallur më 29 janar si udhëheqësi i administratës së përkohshme të Sirisë, al-Sharaa bëri vizitën e tij të parë në Turqi në shkurt me ftesë të presidentit Erdogan.
Ai në fjalimin e tij theksoi se donin t’i transformonin marrëdhëniet e tyre me Turqinë në një “bashkëpunim të thellë strategjik”, shkruan euronews.
Takimi u zhvillua në zyrën e punës në Dolmabahçe dhe morën pjesë kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës Turke (MİT) İbrahim Kalın, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare Yasar Guler dhe ministri i Jashtëm sirian Assad Hassan Seybani.
Erdogan deklaroi se masa e BE-së dhe e SHBA-së për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë ishte “e mirëpritur nga Turqia”.
Udhëheqësi turk theksoi gjithashtu nevojën për të mbrojtur integritetin territorial të Sirisë, duke iu referuar trupave izraelite brenda kufijve të vendit.
Nga ana tjetër, udhëheqësi sirian falënderoi presidentin Erdogan “për mbështetjen dhe përpjekjet e tij kritike” në heqjen e sanksioneve.