Era ekstreme përmbysi super-jahtin e Mike Lynch në brigjet e Siçilisë verën e kaluar ku për pasojë humbën jetën 7 persona mes të cilëve edhe i ashtuquajturi Bill Gates i Britanisë. Një raport hetimor zbuloi se anija ishte e paqëndrueshme ndaj kushteve të tilla, gjë që ekuipazhi nuk e dinte.
Era ekstreme përmbysi super-jahtin luksoz të sipërmarrësin e teknologjisë Mike Lynch, verën e kaluar në Brigjet e Siçilisë në Itali, ku I ashtuquajturi Bill Gates i Britanisë dhe vajza e tij ishin mes 7 viktimave të tragjedisë në det.
Dega e Hetimit të Aksidenteve Detare e Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka udhëhequr hetimin ndërkombëtar, tha se erërat me shpejtësi mbi 130 km/orë shkaktuan aksidentin tragjik brenda pak sekondash.
Hetuesit thonë se jahti anua në një kënd 90 gradë brenda 15 sekondave, duke bërë që njerëz, mobilje dhe sende të lirshme të binin mbi kuvertë.
Sipas raportit mjeti lundrues nuk mund të përballonte kushte të tilla atmosferike dhe mund ta përmbysnin edhe erëra me shpejtësi deri në 113 km për orë.
Por Pronari dhe ekuipazhi nuk ishin në dijeni të kësaj, pasi nuk ishte përfshirë në librin e informacionit të stabilitetit të jahtit.
Raporti bazohej në “një sasi të kufizuar provash të verifikuara”, pasi një hetim penal nga autoritetet italiane ka kufizuar aksesin në rrënojat e anijes.
Një operacion për të nxjerrë jahtin 56 metra të gjatë nga deti u ndërpre gjatë fundjavës pasi një zhytës vdiq ndërsa punonte në rrënoja .
Procedurat hetimore në Mbretërinë e Bashkuar po shqyrtojnë vdekjen eLynch dhe vajzës së tij, si dhe kryetarit të bankës Morgan Stanley International, Jonathan Bloomer, dhe gruas së tij, Judy Bloomer, të cilët ishin të gjithë shtetas britanikë.
Avokati amerikan Chris Morvillo dhe gruaja e tij Neda Morvillo vdiqën gjithashtu në fundosje, së bashku me shtetasin kanadez-antiguan Recaldo Thomas, i cili punonte si kuzhinier i jahtit.
Pesëmbëdhjetë persona arritën të shpëtonin me një varkë shpëtimi, përfshirë gruan e manjatit të teknologjisë.
Ky aksident tragjik ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e jahteve luksoze dhe nevojën për protokolle më të rrepta në rastet e motit ekstrem.