Rama nuk përfshiu njerëzit e Erdoganit në listat e PS. Afrimi me Arabinë Saudite dhe Princin Bin Salman ka mërzitur Ankaranë, që po kundërpërgjigjet me bojkot elektoral, media anti-saudite dhe luftë të butë kulturore…
Zgjedhjet e 11 majit ishin ndoshta të parat në historinë e “Rilindjes” ku Edi Rama nuk pati bekimin dhe mbështetjen e hapur të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Marrëdhënia e dikurshme, që nisi me stadiume dhe u rrit me xhami e ceremoni vëllazërore, sot është në fazën e përplasjes së heshtur, dhe si pas çdo përplasjeje që vjen nga Lindja, hakmarrja është e organizuar, e butë dhe shumë e thellë.
Pak muaj më parë, Erdogan kishte kërkuar që disa kandidatë të afërt me xhematin e tij në Shqipëri të përfshiheshin në listën e Partisë Socialiste. Por Rama e “përmbushi” porosinë me një emër fasadë, Edlira Dyrmishaj, një grua besimtare dhe me integritet, por që nuk ishte nga “lista e Sulltanit”.
Kjo lëvizje politike u pa si përmbushje teknike dhe refuzim real. Dhe rezultati nuk vonoi: xhemati votoi me këmbë, jo me duar. As imamët, as hoxhallarët, as strukturat e hershme të Islamit politik nuk u rreshtuan me PS.
Për herë të parë, Rama nuk fitoi me ndihmën e Erdoganit. Dhe këtë e dinte.
Arsyeja? E thjeshtë: Rama po afrohet me Rijadin. Më saktë, me Princin e Kurorës Mohamed Bin Salman, të preferuarin e Donald Trump dhe njeriun që ka futur para realisht në Shqipëri, duke nisur nga projekti i resortit në Sazan, që pritet të kthehet në një kartë të re diplomatike.
Nga ana tjetër, Erdogan nuk ka harruar as përuljen e Ramës para Giorgia Melonit, as “kunjat” në samitin e Tiranës, as dhuratat për zonjën Emine, e as mënjanimin e ndikimit turk në segmente të qeverisë shqiptare. Kështu nisi hakmarrja e butë: xhemati u urdhërua të bojkotojë.
Tashmë, media të lidhura me qarqe pro-Erdoganit kanë filluar një fushatë të ashpër ndaj Arabisë Saudite. Një ndër to është “Mexhlis”, e cila ka sulmuar personalisht Princin Bin Salman, ka përqeshur rolin e grave në protokollin saudit dhe ka aktivizuar analistë të vjetër të Islamit politik që prej vitit 1992 janë investuar për të ndërtuar një linjë të orientuar nga Ankaraja.
Por goditja nuk ndalet në media. TIKA, agjencia e famshme e Erdoganit, ka restauruar objekte historike në mënyrë të njëanshme, me qëllim krijimin e një trashëgimie të importuar osmane.
Në Prezë, ka futur një kopje të Kuranit “të sjellë nga Turqia”, që shitet si relike autentike. Në Kala të Shkodrës, kërkoi të ndërtojë një xhami mbi rrënojat e një kishe mesjetare.
KMSH e ndaloi. Amerikanët e bënë të qartë se kjo nuk është trashëgimi shqiptare.
As Xhamia e Madhe në Tiranë, me gjithë milionat e investuara, nuk mbushet të premteve. Pse? Sepse njerëzit e Zotit nuk i pëlqejnë lojërat e sulltanëve. Nuk e duan Islamin si projekt politik, dhe nuk e pranojnë xhaminë si seli elektorale.
Pra, miliardat e Erdoganit në Shqipëri, nga stadiumi te gjimnazi, nga xhamitë te projektet kulturore, nuk prodhuan dot një elektorat të bindur. Siç ndodhi në Bosnje. Siç ndodhi në Sanxhak.
Sot, Edi Rama është në një pozitë delikate. Nuk e ka më “aminin” e Erdoganit, por i duhet të sillet si burrë shteti përpara MBS. Dhe ashtu si në çdo betejë mes lindjes dhe perëndimit, ai përpiqet të shesë neutralitet, ndërkohë që ndjek interesin e vet.
Por Sulltanët nuk harrojnë. Dhe xhemati e di. Ndaj, bojkoti në zgjedhjet e 11 majit nuk ishte politik; ishte fetar, i heshtur dhe i urdhëruar./Pamfleti