Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur sot pas të shtënave me armë zjarri në Gjilan. Policia ka konfirmuar se i dyshuari për këtë ngjarje është në arrati, por është i njohur për organet e rendit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se rasti ka ndodhur rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”. “Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave dhe dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur, të cilëve u është dhënë ndihma mjekësore në qendrën emergjente të Gjilanit. I dyshuari është shtetas i Kosovës, mashkull, i njohur për policinë dhe aktualisht është në arrati. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit. Hetimet për rrethanat e rastit po vazhdojnë”, tha Hashani.
Mediat lokale kanë publikuar pamje nga vendi ku ka ndodhur krimi i rëndë.