Ministria finlandeze e Mbrojtjes njoftoi sot se dyshon se dy aeroplanë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore finlandeze.
Deklarata shtoi se incidenti ndodhi në brigjet e Porvoo në Finlandën jugore, raporton Reuters.
“Ne e marrim seriozisht dyshimin për shkelje të hapësirës territoriale dhe hetimi është duke vazhduar”, tha Ministri i Mbrojtjes Antti Hakanen.
Kreu i strategjisë së forcave mbrojtëse finlandeze, gjeneralmajor Sami Nurmi, tha se ushtria e vendit po monitoron “me shumë kujdes” manovrat e Moskës përgjatë kufirit të përbashkët dhe se puna e tyre, si pjesë e NATO-s, është të “përgatiten për më të keqen”.
Imazhet satelitore, të botuara në New York Times, tregojnë zgjerimin e infrastrukturës ushtarake ruse pranë kufirit finlandez, duke përfshirë rreshta tendash, automjete ushtarake, rinovime të strehimoreve të avionëve luftarakë dhe punime ndërtimi në një platformë helikopterësh të papërdorur më parë.