Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Takimi, i cili u mbajt në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, u fokusua në diskutimin e çështjeve që lidhen me situatën e sigurisë së përgjithshme në vend, si dhe tema me interes të përbashkët për institucionin policor.
Gjatë bisedës, drejtori Hoxha theksoi përkushtimin e Policisë së Kosovës për të përmbushur objektivat strategjike, duke vepruar si një forcë profesionale në mbrojtje të rendit kushtetues dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë.
Drejtori Hoxha rikonfirmoi gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me partnerët amerikanë në fusha me interes të përbashkët, thuhet në njoftim. /Telegrafi/