Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar të enjten vonë – sipas orës lokale – nominimin e republikanëve për president në garën e nëntorit, teksa ka mbajtur një fjalim në Konventën Kombëtare të Republikanëve.
Në fjalim, ai e ka përshkruar si e ka përjetuar atentatin ndaj tij ditë më parë.
“Nuk ishte supozuar të isha sonte këtu”, ka thënë Trump para mijëra pjesëmarrësve, të cilët e kanë dëgjuar në qetësi.
“Pati gjak duke rrjedhur gjithandej, por në një mënyrë kam pasur besim, sepse e kam pasur Zotin në anën time”.
Trump, 78 – vjeçar, i njohur për retorikën e tij agresive, e ka mbajtur një fjalim me tone më të buta dhe me mesazhe shumë personale, të lidhura nga përvoja e tij e atentatit dhe mundësitë për vdekje.