Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën e Veteranit ka thënë se veteranët me veprën dhe luftën e tyre kanë bërë historinë e çlirimit të Kosovës.
Kurti në një postim në Facebook ka uruar luftëtarët e lirisë për Ditën e Veteranit, ndërkaq ka kujtuar rezistencën e familjes Jashari.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të lirisë, atyre që me armë në duar dhe me guxim në shpirt, vullnetin për çlirimin e Kosovës e jetësuan në realitet historik.
Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zuri vend në ditën e parafundit të vitit kalendarik, sepse në një ditë si kjo, më 30 dhjetor 1991, forcat policore serbe e kryen aksionin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz. Kishin kaluar vetëm tre javë prej kur Adem Jashari dhe gjysma e grupit të dytë të vullnetarëve që ishin stërvitur në Shqipëri, ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Të dekonspiruar ndërkohë, policia shkoi ta arrestonte komandantin e togut të dytë të atij grupi vullnetarësh, Adem Jasharin, atë kohë 36 vjeçar.
Por policia nuk e kishte parashikuar që do të haste në rezistencë të armatosur nga tre bijtë e Shaban Jasharit, Rifati, Hamza dhe Ademi, të cilëve iu bashkuan në luftime kushërinjë e bashkëfshatarë, si dhe miq, shokë e luftëtarë të tjerë të organizuar bashkë me ta. Gjatë ditës së hënë të 30 dhjetorit 1991, Prekazi u shndërrua në arenë të përballjeve të shumëfishta dhe presioneve mes policisë serbe dhe mbi 200 personave nga Prekazi e fshatrat përreth që u mobilizuan ta ndihmonin familjen Jashari. Dy persona u plagosën, 14 familje u bastisën, 50 persona u ndaluan gjithë ditën kurse 27 prej tyre u arrestuan, mes të cilëve edhe Shaban Jashari.
