Disa orë pas përfundimit të armëpushimit 3-ditor, Rusia nis sulme ajrore në Ukrainë

Rusia nisi sulmet me dronë në Ukrainën lindore gjatë natës së të martës, vetëm disa orë pas mbarimit të armëpushimi tre-ditor.

Sulmet vranë një burrë dhe plagosën të paktën katër persona në rajonin e Dnipropetrovskit, raportoi të martën kreu i administratës ushtarake rajonale Oleksandr Ganzha.

“Armiku sulmoi pesë distrikte të rajonit më shumë se 20 herë me dronë, artileri dhe bomba ajrore”, shkroi ai në Telegram.
Forcat ruse shënjestruan gjithashtu Kievin dhe goditën një ndërtesë banimi 20-katëshe në kryeqytet, raportuan mediat ukrainase duke cituar zyrtarë lokalë.

Dhe rajoni Fastiv, pranë Kievit, u bë gjithashtu cak i sulmeve ruse. Një kopsht fëmijësh, një ndërtesë banimi katërkatëshe dhe dy shtëpi private u dëmtuan, shkroi në Telegram Guvernatori rajonal Mykola Kalashnyk.

Rusia nisi sulmet vetëm disa orë pasi armëpushimi 72-orësh i ndërmjetësuar nga SHBA-të përfundoi të hënën.

Presidenti Donald Trump njoftoi të premten se një armëpushim tre-ditor midis Rusisë dhe Ukrainës do të fillojë më 9 maj.

Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza për shkelje, por nuk u raportuan sulme të mëdha, pavarësisht aktivitetit të vazhdueshëm të dronëve dhe viktimave civile nga të dyja palët.

Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi përmbahet nga kryerja e sulmeve hakmarrëse me rreze të gjatë veprimi, por do të reagojë nëse Rusia vendos të kthehet në një luftë në shkallë të plotë pas armëpushimit të përkohshëm.

“Ukraina u përmbajt nga veprimet me rreze të gjatë veprimi në përgjigje të mungesës së sulmeve masive ruse. Në të ardhmen, ne do të reagojmë në të njëjtën mënyrë. Dhe nëse rusët vendosin të kthehen në një luftë në shkallë të plotë, sanksionet tona për këtë do të jenë menjëherë të dukshme”, tha Zelensky në një fjalim në mbrëmje të dielën.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME