Udhëtarit danez, Kennet Brask, i pëlqeu shumë vizita e tij për peshkim në Florida të Shteteve të Bashkuara para dy vjetëve dhe po planifikonte të shkonte atje përsëri këtë vit. Megjithatë, pasi e pa takimin shpërthyes të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë, danezi e anuloi udhëtimin.
“Kur e pashë këtë takim, i thashë vetes: Kurrë nuk do të shkoj në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa z. Trump është president atje” – i tha Bransku agjencisë së lajmeve “Reuters”, duke shtuar se Trumpi ishte “shumë i pasjellshëm” dhe nuk u soll si një person i rritur.
Tani, ai planifikon që të udhëtojë për në Meksikë.
Brasku është njëri nga një numër danezësh, gjermanësh e evropianësh të tjerë që po i rishqyrtojnë planet për udhëtime në Shtetet e Bashkuara si rezultat i veprimeve të presidentit amerikan, sipas pesë agjentëve të udhëtimeve në pjesë të ndryshme të kontinentit.
Për vetëm dy muaj, kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka përmbysur aleancën e gjatë të ShBA-së me Evropën, duke e sugjeruar aneksimin e Grenlandës së Danimarkës, duke nisur një luftë tregtare globale e duke lëshuar urdhra që kanë të bëjnë me politika më të ashpra kufitare, duke i ashpërsuar procedurat për shqyrtimin e vizave dhe duke filluar fushatë të shtypjes kundër imigrantëve pa dokumente në ShBA.
Evropianët shpenzuan 155 miliardë dollarë në udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2023, sipas shifrave të Bashkimit Evropian, ndërsa udhëtimi transatlantik i ka fuqizuar fitimet e kompanive ajrore si “British Airways” tremujorëve të fundit.
Numri i vizitorëve për në ShBA nga Evropa Perëndimore ra për 1 për qind në shkurt në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas të dhënave preliminare të Zyrës Kombëtare të Udhëtimeve dhe Turizmit (NTTO) në ShBA, pasi ishte rritur për 14 për qind në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Më së shumti rënie u shënua nga vizitorët prej Sllovenisë – 26 për qind – të pasuar nga Zvicra dhe Belgjika.
Retorika e Trumpit rreth Grenlandës, territor autonom i Danimarkës, ka qenë temë posaçërisht e ndjeshme për danezët. Danezi Kim Kugel Sorenson i tha agjencisë “Reuters” se anuloi një udhëtim për në Kaliforni për martesën e një miku të familjes dhe i largoi yjet e shiritat dhe vijat nga një tatuazh në mënyrë që të mos dukej si pro-amerikan.
Vizitat nga Danimarka në Shtetet e Bashkuara shënuan rënie për 6 për qind, pasi ishin shtuar për 7 për qind një vit më parë, sipas të dhënave të NTTO-së.
Agjentët evropianë të udhëtimeve dhe kompanitë që merren me të dhëna rreth udhëtimeve i thanë agjencisë “Reuters” se ata po vërenin rënie edhe të kërkimeve për udhëtime në ShBA, duke ndikuar që ata të përqendrohen në reklamimin e destinacioneve të tjera.