Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një deklarim para gazetarëve në hollin e Kuvendit të Kosovës, tha se opozita ka përdorur një kauzë të rrejshme për të bllokuar konstituimin e Kuvendit, transmeton Korrespodenti.
Sipas Bashës, pretendimet për mungesën e dorëheqjeve kanë qenë të pavërteta, dhe refuzimi i verifikimit të mandateve është bërë me qëllim bllokimi.
“Deputetët kanë refuzu pra verifikimin e mandateve… tash po dalim po thonë që do ta votojmë për. Pyetja është për ta çka ka ndodhë dhe çka ka ndryshu. Domethanë, ka qenë një kauzë e rrejshme e tyre që e kanë mbajtë peng Kuvendin e Republikës,” tha Dimal Basha.
Ai shtoi se dorëheqjet e kryeministrit dhe ministrave janë dokumente zyrtare dhe të publikuara, dhe komisioni nuk ka asnjë mandat për t’i verifikuar ato.
“Komisioni për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve nuk është për verifikimin e dorëheqjeve të ministrave… dokumentat për dorëheqjen e kryeministrit janë zyrtare publike që i keni pa edhe ju si media. Prandaj, është komplet absurde me kërku dorëheqjen e ministrave,” shtoi ai. / Korrespodenti