Nga Marc Oliver Ruehle, BILD
Ura e re Putin-Kim nga Rusia drejt Koresë së Veriut po merr formë.
Mega-projekti i despotëve Vladimir Putin dhe Kim Jong-un po rritet me shpejtësi. Një raport i fundit përshkruan në detaje përparimet e gjashtë muajve të fundit në ndërtimin e urës së parë midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.
Sipas medieve shtetërore ruse, projekti i ri, që lidh dy diktaturat, pas përfundimit (përfshirë rrugët lidhëse), do të jetë gati pesë kilometra i gjatë dhe do të ndërtohet mbi lumin Tumen përgjatë kufirit të përbashkët, siç tregojnë imazhet satelitore që tani janë analizuar nga Center for Strategic and International Studies (CSIS), një think-tank në Uashington (SHBA).
Analiza e CSIS tregon se në anën ruse ndërtimi ka avancuar tashmë rreth 110 metra në lumin Tumen, përfshirë shtyllat mbajtëse që janë projektuar për të mbështetur kolonat e urës. Në anën e Koresë së Veriut, kantieri shtrihet pothuajse 150 metra në lumin Tumen. Gjashtë kolona të urës janë ngritur në tokë dhe janë gërmuar themelet për dy shtylla të tjera mbajtëse. Punëtorët kanë përfunduar gjithashtu rampën që lidh dyshemenë e urës me rrugën.
Sipas medieve amerikane, po ndërtohet gjithashtu një kompleks i ri kufitar, që thuhet se do të jetë rreth pesë kilometra katrorë. Territori përfshin një depo, një ndërtesë dogane, një servis për automjete dhe disa ndërtesa dytësore, si dhe një parkim rrethues, që sipas autorëve ndoshta është parashikuar për transferimin e kamionëve (pasi shoferët ndryshohen në kufi, duke mos lejuar kalimin e tyre në vendin tjetër).
“Shpejtësia me të cilën po ndërtohet ura dhe trafiku i vazhdueshëm hekurudhor në stacionin e mëparshëm të qetë ndërmjet dy vendeve tregojnë qartë se sa i rëndësishëm është zgjerimi i tregtisë gjatë luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës,” shpjegojnë analistët e CSIS.
Sa e rrezikshme mund të jetë ura e re për Ukrainën? A mund të dalin armët dhe municioni më shpejt nga Perandoria e Kim-it? Eksperti për Korenë e Veriut, Frederic Spohr, shpjegon për BILD: Për shkak të rrugëve të këqija në Korenë e Veriut, “është e vështirë të dërgohen mallra brenda vendit ose të transportohen jashtë”. Prandaj, drejtori i zyrës së Friedrich-Naumann-Stiftung në Seul “nuk pret që kjo të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në luftën sulmuese”.
Por Spohr shton: “Ky projekt tregon se sa ambicioze janë shtetet në avancimin e bashkëpunimit të tyre. Për më tepër, mendoj se tregta me kamionë midis dy vendeve mund të ketë pasoja. Shkeljet e sanksioneve, të cilave Rusia nuk u përmbahet më, janë edhe më të vështira për t’u zbuluar.”
Dhe më tej: “Për shembull, deri tani anijet ruse mund të ishin vendosur në lista sanksionesh – një rrezik të tillë Rusia mund ta shmangë me ndihmën e urës”.
