Dështon votimi, kryetarët në veri nuk shkarkohen

Tashmë mund të thuhet me siguri të plotë që ka dështuar votimi në komunat veriore të Kosovës dhe se kryetarët shqiptarë mbesin në krye të komunave me shumicë serbe.

Arsyeja e dështimit është fare e thjeshtë, mungesa e pjesëmarrjes së qytetarëve pas thirrjes për bojkot nga Lista Serbe, raporton Paparaci.

Që nga mëngjesi, vetëm 203 persona në katër komunat veriore të vendit dolën për t’iu përgjigjur pyetjes nëse duan apo jo shkarkimin e kryetarëve aktualë shqiptarë.

Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi, iu bëri thirrje serbëve që të mos marrin pjesë në këtë votim, me arsyetimin se ai është organizuar në atë mënyrë që t’ua mundësojë kryetarëve aktualë të qëndrojnë në udhëheqje të këtyre komunave deri në fund të mandatit.

Për t’u bërë i mundshëm largimi i kryetarëve aktualë të katër komunave veriore dhe organizimi i zgjedhjeve të reja në veri, më shumë se 50%e atyre që kanë të drejtë të votojnë duhet të merrnin pjesë. Praktikisht, tashmë e pamundur.

Një vit më parë, ata u bënë kryetarë të komunave në veri të vendit pasi Beogradi iu kërkoi serbëve në Kosovë që t’i bojkotonin zgjedhjet e 23 prillit 2023, gjë që rezultoi me zgjedhjen e katër kryetarëve shqiptarë – fitues me pjesëmarrjen e vetëm 3% të votuesve.

Udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga LVV-ja, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga PDK-ja, udhëheqjen e Zveçanit e mori Ilir Pecit nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut erdhi Erden Atiq nga LVV-ja.

Rezultati sipas KQZ-së: deri në orën 15:00, nga 46,000 të regjistruar, vetëm 203 persona votuan. Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, në Leposaviq votuan 122 persona, në Zubin Potok 17, në Mitrovicën e Veriut 64, ndërsa në Zveçan asnjë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here