Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se intervistimi i deputetëve të Listës Serbe, Zlatan Elek dhe Slavko Simiq, të dyshuar për veprimtari kundërkushtetuese, është shtyrë për një datë tjetër brenda këtij muaji.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta tha për Telegrafin se intervistimi është pjesë e veprimeve hetimore që po ndërmerren në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Ajo theksoi se Prokuroria Speciale zbaton procedurat ligjore në përputhje me Kushtetutën dhe në mënyrë të barabartë për secilin qytetar të Kosovës.
“Z.Slavko Simiq dhe z. Zlatan Elek, janë ftuar për intervistim në rastin penal, njësoj sikurse çdo i pandehur tjetër, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në Kodin e Procedurës Penale. PSRK-ja zbaton në përpikëri procedurat ligjore në përputhje me Kushtetutën dhe në mënyrë të barabartë për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Intervistimi është shtyrë për një datë tjetër brenda këtij muaji dhe për veprimet tjera, do të njoftoheni në kohë”, ka thënën ajo.
Deputetët Elek dhe Simiq dyshohen për veprat penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Thirrje për rezistencë” dhe “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, lidhur me ngjarjet e barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2022.
Nga ana tjetër, Elek dhe Simiq kanë refuzuar ftesat e Prokurorisë në të kaluarën, duke i cilësuar ato si “persekutim politik”.