Ushtrimi ndërkombëtar “Defender 25”, i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, po zhvillohet për herë të parë në Kosovë në një nivel të tillë të lartë të komandës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka theksuar rëndësinë strategjike të këtij angazhimi për forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Aleatëve të NATO-s.
Në një postim në Facebook, Ambasada Amerikane shkruan se “DEFENDER 25” demonstron “aftësinë e Ushtrisë Amerikane për të dislokuar shpejt dhe për të bashkëpunuar me aleatët nga Arktiku deri në Mesdhe dhe Detin e Zi”, duke dëshmuar kështu përkushtimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe forcën e partneritetit ndërkombëtar.
“Për herë të parë në Kosovë po zhvillohet një seli komandimi në nivel divizioni, me 180 persona nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë së Pensilvanisë që mbikëqyr katër brigada multinacionale”, thuhet tutje në njoftim.
Gjithashtu, mbi 960 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke u trajnuar përkrah forcave amerikane dhe partnere në disa shtete të Evropës, çka sipas Ambasadës tregon “rolin gjithnjë në rritje të Kosovës në sigurinë rajonale dhe globale”.
Në kuadër të Ditës së Vizitorëve të Shquar, që u mbajt sot në Babaj të Bokës, morën pjesë e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, Komandanti i Divizionit të 28-të, Gjeneralmajor Michael Wegscheider dhe Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralmajor Stephen Osborn.