Çka do të thotë “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin” e Vuçiqit për serbët nga Kosova?

“Një formë tjetër manipulimi” – kështu e sheh Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë kosovare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, formimin e “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”.

Kjo lëvizje u iniciua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe u mbështet edhe nga Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Rashiq, ministër në Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushteti aktual në Serbi, deri më tani, ka “shënjestruar” të gjithë ata që mendojnë ndryshe, përfshirë edhe serbët nga Kosova, dhe se lëvizja e re nuk do të sjellë ndonjë gjë të re.

“Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, thotë ai.

Për politikanin e opozitës serbe nga Kosova, Millija Bishevac, formimi i Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin është “një shkop në duart e dirigjentit – presidentit Aleksandar Vuçiq”.

“Ky është vetëm një instrument për të mashtruar popullin që të mendojë se po nis një histori e re”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Më 23 mars, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbajti mbledhjen e parë të komisionit iniciues për themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, duke deklaruar se “është koha për të bashkuar gjithë mençurinë dhe patriotizmin”.

Në gjithë Serbinë, nga ana tjetër, janë duke u mbajtur protesta tash e katër muaj.
Nën organizimin e studentëve, protestuesit kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Autoritetet i përshkruajnë protestat si “revolucion me ngjyra” dhe “përpjekje për të përmbysur shtetin”.

Lista Serbe: Lëvizja për Popullin dhe Shtetin – shtëpi për të gjithë ne
“Në emër të popullit serb të Kosovës dhe Metohisë”, Lista Serbe tha se e mbështet themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin.

“Lëvizja për Popullin dhe Shtetin duhet të jetë shtëpi e të gjithë neve që e duam Serbinë dhe mburojë që duhet ta mbrojë popullin serb në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.

Kjo parti, e cila u themelua me mbështetjen e Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në Serbi, u bëri thirrje të gjithë “patriotëve të nderuar serbë dhe qytetarëve të Serbisë, që të jenë pjesë e lëvizjes dhe të marrin pjesë në formësimin e së ardhmes”.

“Serbët nga Kosova dhe Metohia, me përvojën e tyre shekullore në mbrojtjen e emrave dhe mbiemrave serbë, e mirëpresin themelimin e Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin – të bindur se kjo lëvizje do t’u japë përgjigjen më të mirë të gjithë atyre që dëshirojnë ta shohin Serbinë të gjunjëzuar”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

“Lista Serbe të mos flasë në emër të popullit serb”
Rashiq thotë se Lista Serbe nuk mund të flasë në emër të të gjithë popullit serb në Kosovë. Këtë, sipas tij, e tregon edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, që u mbajtën më 9 shkurt.

“Pa marrë parasysh se sa të parregullta ishin zgjedhjet – në kuptimin që ata [Lista Serbe] përdorën metoda të ndryshme manipulimi – ata nuk duhet të harrojnë se rreth 22 për qind e votuesve votuan kundër tyre, ose për partitë e tjera politike. Pavarësisht kësaj, ata [Lista Serbe] marrin guximin ta mbështesin Vuçiqin në emër të të gjithë serbëve të Kosovës”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një mandat parlamentar e fitoi partia e Rashiqit.

Rashiq nuk beson se një numër i madh i serbëve nga Kosova do t’i bashkohen lëvizjes së formuar nga Vuçiq, por paralajmëron për “shantazh” të mundshëm për të detyruar individë të caktuar që ta bëjnë një gjë të tillë. Lista Serbe – “shkop në duart e Vuçiqit”
Bishevac beson se Lista Serbe është “shkopi në duart e dirigjentit Aleksandar Vuçiq” dhe se Lëvizja për Popullin dhe Shtetin “nuk mund të sjellë ndonjë ndryshim”.

“Të gjithë ne e kemi të qartë se Lista Serbe është vetëm zbatuese e politikës së Beogradit zyrtar. Lista Serbe nuk ka pasur kurrë autoritet në vendimmarrje, veçse ka dëgjuar gjithçka që i është thënë nga Beogradi, si dhe ka zbatuar një politikë shumë të keqe për serbët e Kosovës dhe Metohisë”, thotë ai.

Bishevac thekson se ai dhe Lëvizja e tij Popullore Serbe mbështesin gjithmonë një politikë “autentike” për serbët nga Kosova, në mënyrë që të marrin vendime që do ta përmirësonin jetën e njerëzve në terren.

Lista Serbe, shton ai, do të “shkrihet” në Lëvizjen e re për Popullin dhe Shtetin, pa u përfshirë në të shumica e serbëve nga Kosova.

“Presidenti njoftoi se do të ketë njerëz të rinj, ekspertë të rinj. Mësa di unë, ai kurrë nuk ka ftuar njerëz nga Kosova që nuk mendojnë si Lista Serbe në ndonjë bisedë, e lëre më t’i angazhojë ata në ndonjë formë të veprimit politik. Ne nuk e shohim Beogradin si armikun tonë, por ata, padyshim, kërkojnë vetëm instrumentet e veta”, thotë Bishevac.

“Lista Serbe mbështet me automatizëm Vuçiqin”
Miodrag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare “Qendra për Veprime Afirmative Sociale” në veri të Kosovës, vlerëson se Lëvizja për Popullin dhe Shtetin nuk ka asnjë lidhje me Kosovën dhe se Lista Serbe e ka mbështetur vetëm si “subjekt politik kukull”.

“Ata mbështesin me automatizëm gjithçka që bën shefi në Beograd dhe jam i sigurt se kjo lëvizje nuk ka të bëjë me Kosovën. Ka shumë pyetje: çfarë ofron ajo lëvizje, kë bashkon, cili është qëllimi i saj? Qëllimi është ndoshta më i qartë: mbijetesa e regjimit aktual politik në Beograd dhe mbijetesa e subjekteve politike që e mbështesin këtë lloj qeverisjeje”, thotë Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se formimi i Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin mund të shihet edhe si “përgjigje ndaj rebelimit të përgjithshëm të popullit në Serbi”.

“Narrativi i përdorur për këtë qëllim është jashtëzakonisht populist. Ata e quajnë veten Lëvizja për Popullin dhe Shtetin, e ne e kemi popullin në rrugë”, thotë Marinkoviq.

Ai, gjithashtu, beson se këtë lëvizje do ta mbështesin ata mbi të cilët pushteti në Serbi “ka kontroll”, përfshirë Listën Serbe.

“Ky nuk është qëndrim politik, është akt besnikërie nga Lista Serbe. Ajo do të bëjë çfarëdo që të kërkojë Beogradi prej saj”, përfundon Marinkoviq.

Çfarë dihet për Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin?
Për Lëvizjen për Popullin dhe Shtetin nuk dihet shumë.

Për themelimin e saj, presidenti serb, Vuçiq, paralajmëroi rreth dy vjet më parë.

Fokus i lëvizjes, siç tha Vuçiq në disa raste, duhet të jetë e ardhmja e Serbisë.Hera e fundit kur ai foli për themelimin e kësaj lëvizjeje, ishte në janar të këtij viti, në një tubim në Jagodinë të Partisë Përparimtare Serbe, themelues i së cilës është vetë.

“Ju jeni të gjithë të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen e ndryshimeve të mëdha”, tha Vuçiq në atë kohë, por nuk specifikoi se cilat ishin ato “ndryshime të mëdha”.

Pas mbledhjes së komisionit iniciues për themelimin e kësaj lëvizjeje, më 23 mars, Vuçiq tha se “ka filluar një punë e madhe”.

“Të ofrojmë shpresë, stabilitet, siguri dhe të ardhme për Serbinë dhe fëmijët tanë”, tha ai.

Vuçiq shtoi se lëvizja u bën thirrje të gjithë “qytetarëve të ndershëm që të kontribuojnë për Serbinë, me aftësitë dhe njohuritë e tyre”, dhe “të ndihmojnë që ajo të bëhet më e suksesshmja në historinë e saj”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here