Cila do të jetë lëvizja e radhës e SHBA-së ndaj Kurtit? Ja çfarë thotë Hovenier

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten thellësisht të përkushtuara ndaj mbështetjes së popullit të Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit euroatlantik, por ka pranuar se veprimet e fundit të Qeverisë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti kanë shkaktuar shqetësime serioze në Uashington.

I pyetur se çfarë masash të tjera, përveç pezullimit të Dialogut Strategjik, mund të ndërmarrë SHBA-ja për të shtuar presionin ndaj Qeverisë Kurti, Hovenier nuk dha një listë konkrete veprimesh, por e përshkroi qartë sfidën me të cilën përballet administrata amerikane.

“Nuk e di përgjigjen për këtë,” tha ai, duke shtuar se “sfida me të cilën përballet Qeveria amerikane është se ka disa prioritete që shpesh bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, ndërsa një prioritet kryesor mbetet shumë i rëndësishëm.”

Ky prioritet, sipas tij, është ruajtja e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe të sigurt, ku respektohen të drejtat e komuniteteve joshumicë – veçanërisht komunitetit serb.

“Kjo administratë ka arritur në të njëjtin përfundim si edhe administrata e mëparshme: mënyra më e mirë për të trajtuar çështjen delikate të mbështetjes së integrimit të mëtejshëm të Kosovës dhe sovranitetit të saj, është duke respektuar të drejtat dhe statusin e komuniteteve joshumicë… në mënyrë që ai komunitet të mund të jetojë në kushte dinjiteti dhe sigurie.”

Hovenier theksoi gjithashtu se, pavarësisht tensioneve me qeverinë aktuale, SHBA-ja nuk ka lëkundur mbështetjen e saj për popullin e Kosovës dhe për projektin e saj shtetformues.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan e mbështesin Kosovën… Jemi të përkushtuar të mbështesim popullin e Kosovës. Këtë e shihni në shumë mënyra: programet, aktivitetet, angazhimet, njerëzit…”

Duke përmendur rolin e amerikanëve në ndërtimin e institucioneve arsimore në Kosovë, ai shtoi se SHBA-ja dëshiron të mbetet partneri më i ngushtë i vendit, por kjo kërkon bashkëpunim dhe respektim të parimeve demokratike.

Hovenier kujtoi se kritikat nuk janë të reja dhe nuk vijnë vetëm nga administrata aktuale e presidentit Trump.

“Administrata e [ish-presidentit] Biden dhe tani administrata e Trumpit kanë shqetësime të vërteta për disa veprime dhe vendime politike të Qeverisë së kryeministrit Kurti. Është kaq e thjeshtë.”

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME