CEFTA dhe Tregu Rajonal, gjermanët ia përsërisin Qeverisë: Nëse bllokoni, do të vazhdojmë pa Kosovën

Gjermania, një prej shteteve anëtare kyçe të BE-së është sponsore e atij që njihet si Procesi i Berlinit, nismë që synon rritjen e bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përgatitjen e 6-shes ballkanike për të qenë sa më afër integrimit në BE. Kosova po identifikohet si pengesë në këtë synim të gjermanëve për rritjen e bashkëpunimit tregtar që synohet përmes nismave si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe CEFTA. Për këtë arsye, emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka bërë paralajmërime të forta në adresë të Qeverisë së Kosovës për të reflektuar deri më 15 tetor, kur edhe do të mbahet Samiti i radhës i Procesit të Berlinit, në të kundërtën është sinjalizuar se do të vazhdohet përpara edhe pa Kosovën. Mesazhi i njëjtë është përsëritur në një përgjigje të Ambasadës së Gjermanisë të mërkurën për Express.

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka vizituar Kosovën dy herë radhazi në përpjekjen e tij për të shtyrë përpara synimin e Qeverisë së kancelarit Scholz, që na kuadër të Procesit të Berlinit, të përmirësojë nivelin e bashkëpunimit tregtar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sarrazin gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ka prezantuar ofertën e Gjermanisë për zëvendësimin e UNMIK-ut në CEFTA me Kosovën, ndërkohë që në këmbim kanë kërkuar nga Kosova heqjen e masës së sigurisë për mallrat që hyjnë nga Serbia brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada Gjermane në Prishtinë kanë thënë se Procesi i Berlinit është formati i vetëm përfshirës për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që synon përmirësimin e bashkëpunimit rajonal si dhe bashkëpunimin me BE-në për një numër fushash për të përkrahur vendet e rajonit që të arrijnë standardet e BE-së dhe integrimin e tyre në BE.

Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane, Christian Bottcher, ka thënë për Gazetën Express se politika e ftesave në kuadër të Procesit të Berlinit s’do të ndryshojë dhe se shpresojnë që Kosova do të vazhdojë të marrë pjesë.

Por Bottcher nënvizon se nëse Kosova do të vazhdojë të bllokojë progresin e mëtejshëm në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, do të gjendet një rrugë për të vazhduar këtë platformë edhe pa Kosovën.

“Natyrisht, politika e ftesave e Procesit të Berlinit nuk do të ndryshojë dhe ne shpresojmë që Kosova të vazhdojë të marrë pjesë. Megjithatë, nëse Kosova vazhdon të bllokojë çdo përparim të mëtejshëm në Tregun e Përbashkët Rajonal, ne do të gjejmë një mënyrë për të vazhduar këtu pa Kosovën”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës Gjermane për Gazetën Express.

Të njëjtën porosi qeverisë ia la edhe Ministrja gjermane e Shtetit për Europën, Anna Luhrmann e cila qëndroi në fillim të javës në Prishtinë.

Luhrmann u prit nga Osmani, ndërkohë që për takim bilateral me Kurtin s’u njoftua edhe pse ajo me shefin e qeverisë u pa në një ngjarje ku si duket e përcjell përsëri mesazhin nga Berlini.

“Mirënjohëse për diskutimet e hapura në Kosovë, përpara takimeve të këtij 10-vjetori të Procesit të Berlinit. Ia bëra të qartë Qeverisë se ne i bëjmë thirrje Kosovës të bëjë të mundur zhbllokimin e CEFTA-s dhe të lejojë avancimin në Tregun e Përbashkët Rajonal për të sjellë përfitime konkrete për njerëzit në Kosovë”, shkroi ajo në”X”

Mosbllokimi i progresit të Tregut të Përbashkët Rajonal lidhet me zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA. Nga Ambasada Gjermane kanë treguar se Gjermania ka negociuar një marrëveshje paketë, për të hequr UNMIK-un nga vendimmarrja e CEFTA-s, në mënyrë që Kosova të përfaqësojë veten ndërsa Kosovës në anën tjetër i është kërkuar heqja e ndalesës së importit për mallrat serbe.

Nëse ky zhbllokim i vendimmarrjes në CEFTA do të bëhet i pamundur nga Kosova, zëdhënësi i Ambasadës Gjermane ka thënë se një gjë e tillë do të bëhet edhe pa Kosovën. Bottcher ka thënë se i takon Kosovës të vendos se në cilat pjesë të bashkëpunimit rajonal dëshiron të marrë pjesë.

“Kjo përfshin zhbllokimin e vendimmarrjes së CEFTA-s. Gjermania ka negociuar një marrëveshje paketë për të hequr UNMIK-un nga vendimmarrja e CEFTA-s, në mënyrë që Kosova të përfaqësojë vetveten. Në të njëjtën kohë, Kosovës i kërkohet të heqë ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Nëse një zgjidhje për CEFTA-n bëhet e pamundur nga Kosova, atëherë do të ndodhë pa të. Do të jetë vendimi i Kosovës në cilat pjesë të bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë të marrë pjesë”, ka thënë Bottcher.

Nga Qeveria e Kosovës pas vizitës së Sarrazin kishin deklaruar që masa e sigurisë për mallrat serbe s’lidhet me zhvillimet në kuadër të CEFTA-s. Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, kishte shkruar se masat e Kosovës s’kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin si rezultat i kërcënimeve të sigurisë.

“Pas tre vjetësh bllokade nga Serbia brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tani ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të lidhura. Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet për sigurinë tonë kombëtare, të zbatuara jo nga Ministri ynë i Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë. Kosova është anëtari më proaktiv i Procesit të Berlinit dhe Kryeministri Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejshëm”, kishte shkruar Zulfaj më 5 shtator, pas takimit që Sarrazin kishte pasur me kryeministrin Albin Kurti.

Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për paralajmërimin gjerman, kishte thënë se ekziston rreziku që të përjashtohet Kosova, ndërkohë që kishte bërë thirrje për institucionet e Kosovës që të angazhohen për të mos ndodhur përjashtimi.

“Unë më së pari angazhohem që të bindet Gjermania që Kosovën mos ta largojnë pavarësisht këtyre. E dyta që bëjë unë i propozoj 10 fjali të ndryshme që arrijnë qëllimin e Kosovës, por duken si kompromis, sepse mund të gjindet rrugë e përbashkët. Propozime të tilla duhet të diskutohen me të gjithë sepse janë Dogana dhe Policia e Kosovës ata që e zbatojnë, ku policia shkonë nëpërmjet MPB-së sa i përket zinxhirit politik, ndërsa Dogana nëpërmjet Ministrisë së Financave, pra e natyrshme që duhet të bashkëpunojmë, nuk e mar telefonin me iu dhënë urdhëra.”, kishte thënë Osmani./GazetaExpress/

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here