Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka folur lidhur me zhvillimet e fundit politike.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka përgjegjësinë kryesore për krizën aktuale politike në vend.
Megjithatë, ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se edhe opozita s’mund të qëndrojë jashtë përgjegjësive dhe kritikës publike.
‘’Kur llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik. Si shoqëri civile, nuk jemi këtu për të dekoruar retorikën e askujt. Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre. Mbi të gjitha, është e padrejtë të thuhet se kemi heshtur për katër vite, kur shpesh kemi qenë zëri i vetëm në thirrjet për transparencë, integritet dhe zgjidhje. PO, LVV-ja e ka barrën kryesore në krizën aktuale – këtë e kemi artikuluar hapur, pa ekuivok dhe vazhdimisht! Por, JO, kjo nuk do të thotë se të tjerët kanë luksin e papërgjegjësisë.Ideja se opozita është e paprekshme nga kritika, se kriza është “monopol” i pushtetit, apo se ndarja e përgjegjësisë është padrejtësi, është kundër çdo logjike institucionale’’, ka shkruar Cakolli.
Kur kuvendi nuk funksionon dhe shteti është në pauzë, askush që mban mandat publik nuk është pa përgjegjësi, ka shtuar ai.