Britania pritet t’i japë Ukrainës raketa “Storm Shadow” për të sulmuar brenda Rusisë

Britania pritet t’i ofrojë Ukrainës raketa të tipit “Storm Shadow” për të vënë në shënjestër caqe brenda Rusisë, pasi tashmë presidenti amerikan, Joe Biden, është pajtuar që ta bëjë të njëjtën gjë për sistemin e ngjashëm amerikan me rreze të gjatë veprimi, “Atacms”.

Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, tha në samitin e Grupit G20 se Britania pranon që duhet të “këmbëngulë” në përkrahjen e saj për Ukrainën, ndërsa burimet diplomatike të njoftuara me çështjen thanë se presin që edhe shtete të tjera evropiane ta pasojnë vendimin e ShBA-së, raporton gazeta “The Guardian”.

Kryeministri britanik tha se, përderisa ai “nuk do të hyjë në hollësi operacionale”, e njeh nevojën për të bërë më shumë që të ndihmohet Ukraina, rrjeti energjetik i së cilës u dëmtua seriozisht nga një valë e bombardimeve ruse të dielën.

“Unë kam qenë vërtet i qartë për një kohë të gjatë tashmë, ne duhet të këmbëngulim. Duhet të sigurohemi që Ukraina i ka ato që janë të nevojshme për aq gjatë sa të jetë e nevojshme, sepse ne nuk mund ta lejojmë Putinin që ta fitojë këtë luftë” – deklaroi ai.

Rusia, megjithatë, e akuzoi Perëndimin për eskalim dhe tha se Bideni po rrezikon që “t’i hedhë benzinë zjarrit” në Ukrainë. Edhe pse presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, qëndroi i heshtur për këtë çështje, djali i tij e akuzoi kompleksin industrial ushtarak se po dëshiron që “ta nisë luftën e tretë botërore”.

Raketat “Storm Shadow” kanë rreze veprimi prej rreth 250 kilometrash, pothuajse si sistemi “Atacms”, dhe në të kaluarën i janë dhënë Ukrainës nga Britania dhe Franca për të sulmuar caqe brenda kufijve ukrainas të njohur ndërkombëtarisht.

Ukraina dëshiron që të jetë në gjendje për të sulmuar baraka, qendra të naftës e qendra logjistike si dhe baza ajrore më thellë brenda Rusisë për t’iu kundërvënë sulmeve të pamëshirshme ruse ndaj territorit të saj. Në anën tjetër, Rusia ka aftësi për të sulmuar në cilëndo pjesë të Ukrainës.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here