Kryeshefi i Marinës Mbretërore në Britani, Gjenerali Sir Gwyn Jenkins, ka dhënë një përditësim mbi projektin Atlantic Bastion, ndërsa shqetësimet për aktivitetet e fundit ruse janë rritur, përfshirë anijen spiune Yantar, e cila u pa rreth ujërave britanike.
Shefat e mbrojtjes në Britani kanë paraqitur plane me vlerë disa miliona paund për teknologjinë e nevojshme për të mbrojtur kabllot dhe tubacionet nënujore të Mbretërisë së Bashkuar.
Programi Atlantic Bastion, i njoftuar si pjesë e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, do të kombinojë mjete autonome dhe inteligjencë artificiale me anije luftarake dhe avionë për të identifikuar dhe mbrojtur infrastrukturën nënujore nga kërcënimet.
Ministria e Mbrojtjes, MoD, tha se kjo është “një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj ringritjes së aktivitetit rus të nëndetëseve dhe mjeteve nënujore”, përfshirë anijen spiune Yantar, e cila u gjurmua muajin e kaluar pranë ujërave britanike.
Projekti ka tërhequr një investim prej 14 milionë paund këtë vit nga MoD dhe industria, me shpresën që teknologjia të vihet në përdorim vitin e ardhshëm.
Në total, 26 kompani nga MB-ja dhe Evropa kanë paraqitur propozime për projektin.
Javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes John Healey vizitoi Bazën Detare të Portsmouth për të parë disa nga teknologjitë e hershme që mund të përdoren në kuadër të Atlantic Bastion.
Midis tyre ishin SG-1 Fathom, një rrëshqitës nënujore, Rattler, një varkë pa pilot e komanduar në distancë, një model i një helikopteri autonom kundër nëndetëseve të quajtur Proteus, dhe një nëndetëse eksperimentale pa pilot e quajtur Excalibur.
“Njerëzit nuk duhet të kenë asnjë dyshim për kërcënimet e reja me të cilat përballet Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë nën det, ku kundërshtarët po synojnë infrastrukturën që është kaq kritike për mënyrën tonë të jetesës. Kjo epokë e re kërcënimi kërkon një epokë të re për mbrojtjen, dhe ne duhet të bëjmë risi të shpejta me një ritëm lufte për të ruajtur avantazhin në fushën e betejës”,tha zoti Healey.
