0.8 C
Pristina
E premte, 27 Dhjetor, 2024

BQK: 2024-ta mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 %

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka mbajtur sot konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarë, ku njoftoi se se viti 2024 do të mbyllet me një rritje ekonomike prej 4.3 për qind.

Në këtë konferencë, ku u prezantuan zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare të vendit për vitin 2024, në qendër të prezantimit ishin indikatorët makroekonomikë, performanca e sektorit financiar, reformat dhe projektet strategjike të BQK-së.

Guvernatori bëri të ditur se ekonomia e Kosovës pritet të mbyllet me një rritje prej 4.3% për vitin 2024, ndërsa deri në shtator ishte regjistruar një rritje prej 4.6%. Në lidhje me inflacionin, ai theksoi se shkalla mesatare për këtë vit ka qenë 1.6%, një nivel që pritet të ruhet edhe gjatë vitit 2025. Po ashtu, remitancat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro.

Liberalizimi i vizave, sipas guvernatorit, ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit, duke përmirësuar qasjen në tregjet ndërkombëtare dhe duke nxitur lëvizjen e lirë të qytetarëve. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e investimeve të huaja direkte, të cilat kanë arritur në 657 milionë euro. Ky trend pozitiv, sipas pritshmërive të BQK-së, do të vazhdojë edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026.Eksporti i shërbimeve vazhdon të ndjekë një trend pozitiv, duke qenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit. Ndërkohë, asetet e sektorit financiar, pa përfshirë BQK-në, kanë arritur në 12.2 miliardë euro, ndërsa totali, duke përfshirë BQK-në, është 14.2 miliardë euro.

Ismaili përfundoi duke theksuar se ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri dhe rritje të vazhdueshme, dhe se pritjet për vitin e ardhshëm janë optimiste. Performanca pozitive e këtij viti dhe hapat strategjikë të ndërmarrë nga BQK krijojnë një bazë solide për zhvillimin e mëtejshëm të vendit në vitet që vijnë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here