Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar sërish mbi zhvillimet rreth Gjykatës Speciale përmes një postimi publik, ku ka ndarë një pjesë të një interviste të profesorit britanik të marrëdhënieve ndërkombëtare, Aidan Hehir. Ai ka ndarë qëndrimet kritike të profesorit, duke i cilësuar si “fjalë të mençura” dhe duke e mbështetur qartazi analizën e tij rreth Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në facebook që Bosch ka ndarë, profesori Hehir thekson se Gjykata Speciale është një projekt politik i krijuar për të kënaqur Serbinë dhe për të afruar atë drejt Perëndimit, larg ndikimit rus.
Bosch, përmes këtij postimi, ka treguar qartazi qëndrimin e tij kritik ndaj mënyrës se si është formuar dhe si funksionon kjo gjykatë.
“Gjykata Speciale është një organ politik i pastër. U krijua me një qëllim të vetëm: për të kënaqur Serbinë. Fuqitë e mëdha perëndimore e detyruan qeverinë e Kosovës ta themelonte, pavarësisht mungesës së mbështetjes publike apo politike në vend”, thuhet në pjesën e ndarë nga Bosch.
Më tej, profesori Hehir dhe në mënyrë të tërthortë edhe Bosch thekson se kjo gjykatë po i shërben propagandës serbe që synon të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e shtetit serb.
“Serbia dëshiron ta paraqesë konfliktin si një luftë ku ‘të dy palët’ kanë qenë fajtorë dhe ta etiketojë UÇK-në si organizatë terroriste që ka sulmuar civilët serbë,” citohet më tej në intervistën e shpërndarë nga ish-ambasadori.
Bosch ka shprehur më parë rezerva ndaj mënyrës se si bashkësia ndërkombëtare ka vepruar në raport me Kosovën, por me këtë veprim të fundit ai jep një sinjal të qartë se e sheh Gjykatën Speciale si një padrejtësi politike që cenon luftën çlirimtare dhe stabilitetin në rajon.
Profesori Hehir paralajmëroi për pasoja serioze nëse liderët e UÇK-së shpallen fajtorë: “Kosovarët me të drejtë ndihen se aleatët perëndimorë u janë kthyer kundër. Nëse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, kjo mund të çojë në trazira sociale në Kosovë dhe do t’i japë hov nacionalizmit serb.”