Zoti Blinken është zyrtari i parë amerikan që konfirmon publikisht kontaktet midis administratës së Presidentit Biden dhe grupit Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, e cila udhëhoqi një koalicion grupesh të armatosura opozitare që rrëzuan Assadin nga pushteti të dielën e kaluar.
Duke folur në një konferencë shtypi në Aqaba të Jordanisë, Sekretari Blinken tha se nuk do të diskutonte detajet e komunikimeve, por tha se ishte e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara t’i përcillnin mesazhe grupit në lidhje me qëndrimet e tij dhe planet e qeverisjes në një periudhë tranzicioni.Po, ne kemi qenë në kontakt me HTS-në dhe palët e tjera,” tha zoti Blinken. Ai shtoi se “mesazhi ynë për popullin sirian është ky: Ne duam që ata të kenë sukses dhe jemi të përgatitur t’i ndihmojmë ta bëjnë një gjë të tillë”.
HTS, e cila dikur ishte një degë e al-Kaidës, u përcaktua si organizatë e huaj terroriste nga Departamenti i Shtetit në vitin 2018.Ky përcaktim mbart me vete sanksione të rënda, përfshirë ndalimin e çdo “mbështetjeje materiale” për grupin ose anëtarët e tij. Megjithatë, sanksionet nuk i ndalojnë ligjërisht zyrtarët amerikanë të komunikojnë me grupet e caktuara.
Në një intervistë të shtunën në televizionin sirian, udhëheqësi i grupit, Ahmad al-Sharaa, i njohur më parë si Abu Mohammed al-Golani, nuk foli për kontaktet e drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, por tha se autoritetet e reja në kryeqytetin Damask janë në kontakt me ambasadat perëndimore.
HTS ka ndërmarrë hapa për të vendosur sigurinë dhe për një tranzicion politik pas marrjes nën kontroll të Damaskut dhe është përpjekur të qetësojë publikun e kapur në befasi nga rënia e Assadit dhe të shqetësuar për xhihadistët ekstremistë midis rebelëve.
Udhëheqësit e kryengritësve thonë se grupi është shkëputur nga e kaluara e tij ekstremiste. Al-Sharaa u shfaq në një video-mesazh të premten duke uruar “popullin e madh sirian për fitoren e revolucionit të bekuar”.
Zyrtarët amerikanë thonë se mirëpresin komentet e al-Sharaas për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe grave, por mbeten skeptikë se ai do t’i respektojë ato në planin afatgjatë.
Të premten, rebelët dhe opozita e Sirisë bashkëpunuan për t’i dorëzuar në mënyrë të sigurtë zyrtarëve amerikanë një amerikan që ishte burgosur nga Asadi.Zyrtarët amerikanë po vazhdojnë kërkimin për Austin Tice, një gazetar amerikan i zhdukur 12 vjet më parë pranë Damaskut.
“Ne u kemi theksuar të gjithë atyre me të cilët kemi qenë në kontakt se sa e rëndësishme është për ne gjetja e Austin Tice dhe kthimi i tij në shtëpi,” tha zoti Blinken./VOA