Blakaj pas vendimit të gjykatës për rastin “Veteranët”: Ligji është i qartë, manipulimi po e mjegullon procesin

Ish-prokurori Elez Blakaj ka reaguar pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë për çështjen “Veteranët”, duke akuzuar se procesi është devijuar përmes manipulimeve të qëllimshme dhe keqinterpretimit të ligjit.

Gjykata Themelore më 14 korrik dënoi me nga një vit burgim 10 nga 12 të akuzuarit për rastin “Veteranët”, që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së.

Në një status në Facebook, ish-prokurori që u mor për herë të parë me çështjen e veteranëve ka ironizuar duke thënë se Apeli do ta kthejë sërish në rigjykim çështjen.

“Pas gati 7 vjetëve, Gjykata Themelore në Prishtinë paska marrë vendim për rastin e veteranëve. Për ata që kanë mashtruar, gënjyer, shpifur si dhe për ata që kanë futur duart në rast, mos u bëni marak, sepse Apeli e kthen rastin përsëri në rigjykim!”, ka shkruar Blakaj.
Ai theksoi se në qendër të këtij devijimi qëndron keqpërdorimi i termit “veteran”, i cili po përdoret në mënyrë të përgjithësuar për të krijuar konfuzion në opinionin publik. Sipas tij, ligji është i qartë dhe përcakton saktë se vetëm dy kategori kanë të drejtë për pagesë/pension: invalidi i luftës së UÇK-së dhe veterani luftëtar i UÇK-së.

Blakaj i referohet Neni 3 i Ligjit Nr. 04/L-261, ku përkufizohen të gjitha kategoritë e veteranëve, nga invalidët dhe luftëtarët, deri te të internuarit dhe pjesëmarrësit në mbështetje logjistike. Megjithatë, ai thekson se vetëm dy prej këtyre kategorive përfitojnë pension, ndërsa të tjerat kanë përparësi të tjera, por jo të drejtë financiare.

“Kjo pagesë/pension ka qenë pika e kthesës ku procesi ka devijuar seriozisht. Përkufizimi dhe kategorizimi është produkt 100% i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së, i cili në fazat e mëvonshme e ka zbatuar këtë ligj sipas dëshirës”, ka shkruar Blakaj.

Sipas tij, avokuesit dhe mbrojtësit e përfituesve të paligjshëm, e përdorin me qëllim të vetëm termin “veteran” në debate publike për të mos ndarë kategoritë dhe për të fshehur abuzimet që janë bërë me buxhetin dhe me nderin e luftës.

“Kështu thotë ligji – e të tjerat janë dëshira… e para se të bëhej ligj ka thënë ky Komision, i cili më vonë është penduar… por ka qenë vonë”, përfundoi ai.

Blakaj ishte prokurori që në vitin 2018 ishte marrë me hetimin e numrit të madh të veteranëve të luftës. Po atë vit, ai kishte dhënë dorëheqje. Tek më vonë pati zbuluar se dorëheqjen e kishte dhënë për shkak të kërcënimeve.

Gjykata Themelore kishte dhënë vendim lirues për çështjen “Veteranët” në vitin 2021. Por Apeli e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here