Administrata Trump vendosi të mërkurën sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, ndërsa i bëri thirrje Moskës të bjerë dakord për një armëpushim të menjëhershëm në luftën me Ukrainën.
Presidenti Donald Trump kishte sinjalizuar për javë të tëra se mund të vendoste sanksione kundër Rusisë për vazhdimin e luftës, por nuk kishte arritur të merrte masa të mëdha ndëshkuese deri të mërkurën. Njoftimi erdhi një ditë pasi Trump tha se një takim i planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.
“Çdo herë që flas me Vladimirin, zhvilloj biseda të mira dhe pastaj ato nuk çojnë askund. Ato thjesht nuk shkojnë askund”, tha Presidenti Donald Trump, pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për të diskutuar negociatat e paqes.
Në komentet në Zyrën Ovale, Trump shpjegoi se “ndjeu se kishte ardhur koha” për sanksionet, duke vënë në dukje se “priti shumë kohë” për t’i vendosur ato. Megjithatë, presidenti amerikan tha se shpreson që “ato nuk do të zgjasin shumë”, sepse lufta do të mbarojë.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha në një deklaratë të mërkurën se ishte “koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”.
“Duke pasur parasysh refuzimin e Presidentit Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari po vendos sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinën e luftës së Kremlinit”, tha ai.
Sanksionet goditën Rosneft dhe Lukoil dhe dhjetëra degë të tyre. Mbretëria e Bashkuar shënjestroi dy kompanitë e naftës javën e kaluar dhe Bashkimi Evropian ra dakord për një paketë tjetër sanksionesh të mërkurën.