20.1 C
Pristina
E premte, 4 Tetor, 2024

Bill Gates tregon tri shqetësimet e tij më të mëdha në lidhje me Inteligjencën Artificiale

Bill Gates është një optimist për të ardhmen e Inteligjencës Artificiale, por ai ngre disa shqetësime kryesore rreth saj.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bashkëthemeluesi i Microsoft shpalosi tri shqetësimet e tij më të mëdha për teknologjinë ndërsa fliste në një podcast të fundit, të publikuar të hënën.Gates tha se shqetësimi i tij i parë është “që njerëzit e këqij me qëllim të keq do të përdorin AI për krime kibernetike, bioterrorizëm, si dhe luftëra shtet-komb”.

“Në këto raste le të sigurohemi që njerëzit e mirë të kenë një AI që mund të krijojë mbrojtje kundër atyre gjërave,…”, citohet të ketë thënë ai.

Mediat kujtojnë se buxheti i SHBA-së për vitin fiskal 2025 përfshin miliarda të destinuara për AI, duke përfshirë përpjekjet për të avancuar “zhvillimin dhe përdorimin e sigurt dhe të besueshëm të AI” dhe për të investuar në një “institut të ri të sigurisë së AI për të mbrojtur sigurinë dhe të drejtat e publikut amerikan”.

Shqetësimi i dytë i Gates është për “shkallën e shpejtë të ndryshimit” që mund të çojë në humbje të vendeve të punës, shkruan BI, përcjell Telegrafi.

Një raport i Goldman Sachs i vitit 2023 tha se AI mund të rezultojë në “çrregullime të konsiderueshme” të tregut të punës dhe të ndikojë në rreth 300 milionë vende pune me kohë të plotë.

Ndërkohë një sondazh i kryer nga HubSpot vitin e kaluar zbuloi se punonjësit e shitjeve kursenin dy orë e 15 minuta në ditë kur përdornin AI për të automatizuar detyrat manuale, duke përfshirë planifikimin e takimeve, mbajtjen e shënimeve dhe futjen e të dhënave.

“Inteligjenca artificiale nuk po zëvendëson shitësit – por thjesht po kujdeset për aspektet më të përsëritura të punës së tyre”, thuhet në studim.

Gates shtoi se shqetësimi i tij i tretë, i cili “shfaqet shumë”, është skenari i “humbjes së kontrollit”.

Shumë studiues dhe ekspertë të AI kanë paralajmëruar për vite të tëra për pasojat e mundshme nëse arrihet AGI, ose inteligjenca e përgjithshme artificiale që tejkalon inteligjencën njerëzore – duke përfshirë skenarët e mundshëm të fundit të botës.

Ekspertët kanë paralajmëruar se modelet e AI mund të abuzohen për qëllime të tilla si kryerja e mashtrimeve ose sulmeve kibernetike ose përhapja e dezinformatave, ndër të tjera.

Kujtojmë se përveç Gates, liderë të tjerë biznesi kanë shprehur gjithashtu shqetësime për AI.

Kryeekonomisti i Microsoft, Michael Schwarz, tha në Forumin Ekonomik Botëror vitin e kaluar se ai ishte “i bindur se AI do të përdoret nga aktorë të këqij dhe po, do të shkaktojë dëme të vërteta”.

Ndërsa CEO i OpenAI, Sam Altman, madje ka thënë ndërsa mendon se “rasti më i mirë është aq i pabesueshëm saqë është e vështirë për mua edhe ta imagjinoj”, nga ana tjetër, ai imagjinon se një skenar i rastit më të keq për AI mund të jetë “fikja e dritave për të gjithë ne”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here