Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë në hetimin e Kongresit për financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, i akuzuar për abuzime seksuale.
Vendimi vjen disa ditë përpara një votimi të mundshëm nëse çifti do të përballej me akuza për shpërfillje të Kongresit, për shkak të refuzimit të mëparshëm për t’u paraqitur para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, pas një ngërçi që kishte zgjatur prej muajsh.
Bill Clinton ka pranuar se e njihte Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar kategorikisht se kishte dijeni për abuzimet seksuale të tij, duke theksuar se kishte ndërprerë kontaktet me të rreth dy dekada më parë.
Nuk është ende e qartë se kur do të zhvillohen dëshmitë, por kjo do të ishte hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një paneli të Kongresit që nga viti 1983, kur këtë e bëri Gerald Ford.
Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, kishte miratuar muajin e kaluar një masë për t’i akuzuar Clintonët për shpërfillje të Kongresit, me mbështetjen edhe të disa demokratëve.
Të hënën në mbrëmje, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, konfirmoi në platformën X se çifti do të paraqitej për të dëshmuar.
“Ata negociuan me mirëbesim. Ju jo. Ata ju thanë nën betim atë që dinë, por juve nuk ju intereson. Megjithatë, ish-presidenti dhe ish-sekretarja e shtetit do të jenë atje. Ata mezi presin të krijojnë një precedent që vlen për të gjithë”, shkroi Ureña.
Sipas Clintonëve, ata i kanë dorëzuar më herët komitetit deklarata nën betim dhe kanë dhënë “informacionin e kufizuar” që kishin për Epstein. Ata e kishin cilësuar më parë thirrjen ligjore si një përpjekje për t’i turpëruar politikisht rivalët, duke e lidhur atë me ndikimin e ish-presidentit Donald Trump.
Bill Clinton nuk është akuzuar kurrë nga të mbijetuarit e abuzimeve të Epstein. Megjithatë, regjistrat e fluturimeve tregojnë se ai ka kryer katër udhëtime ndërkombëtare me avionin privat të Epstein në vitet 2002–2003.
Emri i ish-presidentit shfaqet gjithashtu në fotografi të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë, në kuadër të një ligji që urdhëron zbulimin e materialeve hetimore lidhur me Epstein. Në disa prej tyre, Clinton shihet në ambientet e pronës së financierit të ndjerë, përfshirë një pishinë dhe një vaskë me ujë të nxehtë.
Zëdhënësi i Clintonëve deklaroi se fotot janë dekada të vjetra dhe se Bill Clinton kishte ndërprerë marrëdhëniet me Epstein përpara se krimet e tij të bëheshin publike.
Muajin e kaluar, Clintonët i dërguan një letër kryetarit të Komitetit Mbikëqyrës, James Comer, ku kritikonin mënyrën se si po zhvillohej hetimi.
“Vendimet dhe prioritetet tuaja kanë penguar zbulimin e fakteve për rolin e qeverisë”, thuhej në letër, duke shtuar se veprimet e komitetit kishin motivime politike.
Nga ana e tij, Comer ka theksuar se thirrjet ligjore ndaj Clintonëve janë miratuar me votim dypartiak dhe se “askush nuk është mbi ligjin”. Ai u shpreh se, ndonëse është paraqitur një ofertë për dëshmi, mungojnë ende data konkrete dhe qartësi mbi kushtet.
Ndërkohë, demokrati më i lartë në Komitetin Mbikëqyrës, Robert Garcia, tha për CNN se nuk sheh arsye pse oferta të mos pranohet, duke theksuar se Clintonët kanë pranuar çdo kusht të vendosur deri tani.
Komiteti i Rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve po përcaktonte parametrat për një votim për shpërfillje të Kongresit në momentin kur u paraqit propozimi i fundit nga ekipi ligjor i Clintonëve.
