Bilanci tragjik i stuhisë: 14 të vdekur e qindra të zhdukur në Tajvan, Kina evakuon 2 milionë banorë

Gati dy milionë njerëz janë zhvendosur nga qytetet gjigante në jug të Kinës, ndërsa një tajfun i fuqishëm po përplaset në njërën nga bregdetet më të populluara në botë, pas përmbytjeve vdekjeprurëse që shkaktoi në Tajvan, ku mbi 100 persona figurojnë ende të zhdukur.

Tajfuni Ragasa, që vetëm disa ditë më parë ishte stuhia më e fuqishme në Tokë për këtë vit, paralizoi qendrën financiare Hong Kong dhe pjesë të mëdha të Kinës jugore të mërkurën, pasi kishte goditur më herët Filipinet dhe rajonet malore të Tajvanit.

Me erëra të fuqishme sa një uragan, tajfuni ka shkaktuar rrëshqitje dheu, dallgë gjigante dhe dëme të mëdha, ndërsa tani po godet provincën Guangdong, ku ndodhen qytete të mëdha si Shenzhen dhe Guangzhou.

Në Tajvan, të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë 129 të tjerë që ende rezultojnë të zhdukur, pasi u shemb një digë natyrore që mbante një liqen të sapoformuar, duke shkaktuar përmbytjen e komunës Guangfu me 68 milionë tonë ujë.

Pamjet nga vendi tregojnë rrugë të përmbytura, makina të marra nga rrjedha dhe banorë që strehohen në katet e sipërme të shtëpive, pasi katet e para janë zhytur në ujë.

Diga ishte formuar nga mbeturinat e një rrëshqitjeje dheu në korrik, dhe autoritetet kishin paralajmëruar për javë të tëra se mund të shembej deri në tetor. Megjithatë, reshjet e dendura dhe tajfuni përshpejtuan ndjeshëm këtë proces. Një urë e madhe në Hualien u shemb gjithashtu për shkak të përmbytjes.

Kina jugore në alarm të plotë

Filipinet, Tajvani dhe Kina jugore përballen shpesh me tajfune, por kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu i ka bërë stuhitë më të paparashikueshme dhe më ekstreme.

Të mërkurën në mëngjes, stuhia goditi Hong Kongun me erëra deri në 168 km/h, duke rrëzuar pemë, dëmtuar skelat dhe shkaktuar dallgë të fuqishme që përplasnin shëtitoren pranë portit. Një hotel luksoz në bregdet u përmbyt, por fatmirësisht pa të lënduar. Në Makao, qyteti më i dendur në popullsi në botë, uji i përmbytjeve arriti deri në bel nëpër rrugë. Autoritetet në Hong Kong dhe Makao ngritën alarmin maksimal për tajfunin dhe mbyllën shkollat, bizneset dhe aeroportin.

Në provincën Guangdong, mbi 1.89 milionë njerëz u evakuuan deri të martën në mbrëmje. Më shumë se 10,000 anije u zhvendosën në ujëra të sigurta dhe mbi 38,000 zjarrfikës janë në gatishmëri. Pamjet nga qyteti Shenzhen tregojnë dallgë gjigante që përplasen në parqe bregdetare, ndërsa era arriti deri në 181 km/h.

Për shkak të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj stuhive, këto qytete kanë ndërtuar infrastrukturë të avancuar për përballimin e fatkeqësive natyrore. Hong Kongu ka investuar 3.8 miliardë dollarë në një rrjet kullimi që ka shpëtuar qytetin nga përmbytjet që dikur shkaktonin dëme të mëdha.

Kjo është tashmë tajfuni i 9-të në Hong Kong për këtë vit, ndërkohë që mesatarisht përjeton rreth 6 në vit. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po rrisin jo vetëm numrin, por edhe fuqinë e tajfuneve. Eksperti i atmosferës Johnny Chan thekson se me ngrohjen globale, atmosfera përmban më shumë lagështi dhe detet janë më të ngrohta – duke i dhënë më shumë energji stuhive.

Ai paralajmëron se qytetet në Azi duhet të përditësojnë kodet e ndërtimit për t’u përshtatur me këto kushte të reja ekstreme.

Filipinet përballen me pasojat e tajfunit

Në Filipine, ku tajfuni arriti fuqinë e një uragani të kategorisë 5 të hënën, po vazhdojnë përpjekjet për pastrim dhe rindërtim. Të paktën 7 peshkatarë humbën jetën kur varka e tyre u përmbys në brigjet e Luzonit. Ndërkohë, një tjetër stuhi tropikale me emrin Opong është duke u intensifikuar, ndërsa sezoni i tajfuneve është ende larg përfundimit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME