Një tjetër zbulim i rëndësishëm u bë në parkun arkeologjik në Ulpianë. Aty u gjet një pllakë me mbishkrimin e dytë që i ishte i dedikuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Theodora.
Për këtë zbulim para disa ditësh lajmëroi ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili tha se “ekipi i arkeologëve ka identifikuar” mbishkrimin derisa mori merita se si asnjëherë më parë s’ka pasë këso përkushtimi ndaj zbulimeve të tilla arkeologjike.
‘Ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora. Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan.
Ky i dyti tregon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon. Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar asnjëherë më këtë seriozitet. Hulumtimet arkeologjike në Ulpianë e Dresnik, tanimë po vazhdojnë në prona publike, të cilat u shpronësuan gjatë vitit të kaluar”.
Çeku tha se “po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteteve ndërkombëtare, studime e publikime”.
“Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë. Ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”.